Ambasada britanike: Inkurajojmë Kuvendin të mbështesë zgjatjen e Vetingut
BKT
Shqipëri

Ambasada britanike: Inkurajojmë Kuvendin të mbështesë zgjatjen e Vetingut

Ambasada britanike inkurajoi sot Kuvendin e Shqipërisë të mbështesë zgjatjen e propozuar të Vetingut.

Përmes një deklarate gjatë mbrëmjes, Ambasada britanike në Tiranë theksoi se “zbatimi i reformës në drejtësi është thelbësor për një sistem drejtësie të pavarur dhe efikas si dhe për të ardhmen e Shqipërisë”.

“Ne inkurajojmë Kuvendin e Shqipërisë të mbështesë zgjatjen e propozuar të Vetingut. Procesi i rivlerësimit i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të bëhet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Kjo do të ndikojë në konsolidimin e mëtejshëm të reformës dhe në përgjithësi në rritjen e besimit në sistemin e drejtësisë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës britanike në Tiranë.

Më herët, delegacioni i BE-së dhe Ambasada amerikane në Tiranë u bënë thirrje deputetëve të votojnë ndryshimin e propozuar për zgjatjen e afatit të organeve të Vetingut.

Votimi për zgjatjen e afateve të Vetingut është parashikuar të bëhet ditën e enjte në seancë plenare./atsh


MË SHUME NGA Shqipëri