Gjykatat serbe me seri aktakuzash ndaj personaliteteve shqiptare në Luginë
BKT
Lajme

Gjykatat serbe me seri aktakuzash ndaj personaliteteve shqiptare në Luginë

Gjykata serbe në Vranjë ka nisur një seri thirrjesh ndaj zyrtarëve shqiptarë që kanë përdorur simbole ashqiptare në Luginë. Nga shoqëria civile atje kjo fushatë konsiderohet si presion ndaj shqiptarëve.

Gjykatat serbe në Bujanoc dhe Vranjë kanë nisur një fushatë ftesash ndaj personaliteteve të caktuara shqiptare të Luginës së Preshevës, të cilët Prokuroria serbe i akuzon për shkelje ligjesh. Granit Sadriu, ish-drejtor i shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, është ftuar në Gjykatë me arsyetimin se ai ka shkelur ligjin, derisa e ka lëshuar njërën nga sallat e këtij institucioni për manifestimin e ditës së flamurit kombëtar.

 “Kjo për mua është shkelje e të drejtave të njeriut. Paramendoni në shekullin e 21-të në vendet tjera mendojnë për zhvillim ekonomik dhe ecje përpara, kurse ne ballafaqohemi me këso probleme”, tha ai për RTK-në.

Nga ana tjetër departamenti special për luftimin e korrupsionit në Prokurorinë e Lartë Publike në Nish, ka ngritur një aktakuzë kundër deputetit Shaip Kamberi, për tejkalimin e ndarjeve buxhetore kur ai ishte kryetar komune në Bujanoc.

“Unë do të përballem në aspekt juridik me këtë akuzë dhe nëse e shoh se kjo ka tendenca politike, do t’i përgjigjem politikisht”, ka thënë Kamberi.

Me aktakuza për korrupsion po përballet edhe kryetarja aktuale e Preshevës, Ardita Sinani dhe ish-kryetari i Komunës në Preshevë, Shqiprim Arifi, të cilët po përballen në gjykatat serbe.

Për Jeton Ismailin përfaqësues i shoqërisë civile veprimet e tilla të Gjykatave serbe janë të papranueshme dhe tendencionze. “Mendoj se këto janë një formë e presionit , i cili çdo ditë e më tepër po shtohet sidomos ndaj intelektualëve shqiptarë, e që qëllimi final duket se është braktisja e këtyre trojeve”.

Fushatat e tilla të gjykatës dhe Prokurorisë serbe nga njohësit e rrethanave politike po konsiderohen tendencioze në kohën kur serbe ndodhet para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare e në të cilat shqiptarët mendohet se do të marrin pjesë me një listë të përbashkët./RTKlive/
 


MË SHUME NGA Lajme