Çështja e të pagjeturve plagë e pashëruar
Edhe 1617 persona figurojnë ende të pagjetur në Kosovë. Kjo plagë për shumë familje në Kosovë ende vazhdon të mbetet e hapur, derisa presin çdo ditë një lajm të shumëpritur për fatin e tyre. E disa prej tyre dyshohet se gjenden në pesë lokacione në Serbi.
Çështja e personave të pagjetur vazhdon të jetë njëra prej plagëve të pashëruara tash e më shumë se 20 vjet, ndonëse që nga fillimi i luftës kanë qenë të zhdukur më shumë se 6 mijë persona, dy dekada pas Kosovës i mungojnë edhe 1617 persona të pagjetur. Disa prej tyre dyshohet se gjenden në pesë lokacione në Serbi, por se kjo e fundit vazhdon të mos tregojë për mundësinë e ndodhjes së varrezave masive, anipse në arkivat e tyre shtetërore figurojnë të dhëna të sakta. “Saktësimi i lokacioneve në territorin e Serbisë gjithmonë është i vështirë, derisa Serbia nuk vë në dispozicion informatat nga arkivat e ish ushtrisë jugosllave dhe ministrisë së brendshme dhe nuk i vë ato në dispozicion të këtij procesi”, ka theksuar për RTK-në, Kushtrim Gara, nga komisioni qeveritar për personat e pagjetur. Për vrasje dhe zhdukje të shqiptarëve nga forcat serbe janë dhënë me mijëra dëshmi e fakte nga shumë dëshmitarë, e këta të fundit për atë çfarë kanë parë e dinë kanë filluar të pakësohen. “Dëshmitarët dita-ditës po na vdesin dhe ky është një dëm shumë i madh qoftë për vet shtetin e Kosovës, për institucionet e saj por edhe për mediat që sa më shumë të angazhohen rreth këtij procesi dhe të mbledhin dëshmi me të vërteta. Ne kemi mjaft dëshmi, por nuk janë të përfunduara të gjitha”, ka theksuar për RTK-në, Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues për të zhdukurit. Procesi i personave të pagjetur nuk është se ka pasur një dinamikë të shpejtë, pasi që një gjë të tillë Serbia gjithmonë e ka përdorur si kartë politike për të zvarritur gërrmimet atje. E çështja e të pagjeturve sipas palës kosovare do të mbetet çështje primare në bisedimet e ardhshme me palën serbe./RTKlive/























