Peleshi: Forcat e Armatosura, pjesë në të gjitha lëvizjet e NATO-s
BKT
Shqipëri

Peleshi: Forcat e Armatosura, pjesë në të gjitha lëvizjet e NATO-s

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se Shqipëria ka dërguar aktualisht rreth 200 efektivë të Forcave të Armatosura në Letoni.

“Kemi dërguar rreth 200 efektivë në Letoni. Ne marrim pjesë në të gjitha lëvizjet që kryhen për të shkurajuar rivalët. Kjo është politika e NATOS-s. Në të gjitha lëvizjet shkurajuese që NATO organizon, ne jemi dhe do të jemi pjesë”, deklaroi ministri Peleshi gjatë një interviste në medie.

Ministri foli për situatën mes Rusisë dhe Ukrainës teksa tha se një përshkallëzim i situatës atje mund të çojë në prishje të stabilitetit edhe në rajonin tonë.

“Ne jemi pjesë e NATO-s dhe agresioni shumë afër kufirit të NATO-s është një kërcënim për paqen dhe sigurinë në përgjegjësi. Ne si pjesë e saj kemi obligimet tona. Ukraina nuk është aq larg sa duket në kuptimin që nëse ngjarjet eskalojnë aty dhe kemi pushtim të Ukrainës nga Rusia, imagjinoni që në Ballkanin Perëndimor jo të gjitha shtetet janë kaq të qarta sa Shqipëria sa i përket qasjes e proceseve integruee euroatlantike. Ka influenca të fuqive rivale dhe situata politike duke qenë se në rajon kemi pika të nxehta si veriu i Kosovës dhe në vende të tjera ka faktorë të tërë që presin mjegullën për të vepruar. Shqipëria është e lidhur në një konflikt që mund të ndodhë në Kosovë, ne jemi krah tyre. Po flas për konflikte politike, për prishje të proceseve politike. Kemi dialogun në Kosovë, Ballkanin e hapur por të gjitha këto në ndikimin e një konflikti të tillë nuk mund të kenë progres por vetëm regres”, tha Peleshi.

Më tej, ministri Peleshi tha se, FA-të janë të integruara në strukturat euroatlantike, siç është NATO.

“Ne nuk jemi rastësisht aty, apo në mënyrë të pameriturar, jemi për shkak se jemi një vend i rëndësishsëm në rajon, jemi për shkak të pozicionit tonë strategjik, qasjes sonë korrekte properëndimore, por jemi edhe për shkak të përmbushjes së detyrimeve, përafrimit të standardeve tona me NATO-n. Nuk duhet të mos e themi që jemi një vend i vogël, por nga ana tjetër, forcat tona të armatosura janë përpjekur ta meritojnë vendin në aleancën e madhe të NATO-s, duke kontribuuar”, tha Peleshi gjatë një interviste në medie.

Sipas tij, Shqipëria ka marrë pjesë në disa misione ndërkombëtare.

“Po të shikoni numrat duket sikur Shqipëria është ndër vendet më të mëdha, jo ndër më të voglat në hapësirën e NATO-s. Në Afganistan kemi kontribuuar përreth 20 vite dhe kanë marrë pjesë më shumë se 4300 efektivë të forcave tona të Armatosura. Pothuajse 70-80 % e ushtrisë sonë ka marrë pjesë në misionet në Afganistan”, u shpreh ai.

Më tej, ai tha se po punohet për modernizimin më tej të Forcave tona të Armatosura.

“Deri në vitin 2024 buxhetet e vendeve anëtare të NATO-s për mbrojtjen duhet të kapin vlerën 2 % të PBB-së. Në vitin 2024 do të kapim vlerën 2% të PBB-së, ku 20 % e tij duhet të jetë e alokuar për modernizimin e Forcave të Armatosura”, tha ai.

Ministri Peleshi foli edhe për investimin që po kryhet në Bazën e Kuçovës ndërsa hodhi poshtë lajmet në medie për dhënien e bazës së Pashalimanit Turqisë.

“Baza e Kuçovës është një nga zhvillimet më të rëndësishme të këtyre viteve. Deri tani investimi ka arritur 50 milionë euro dhe parashikohet të shkojnë 70-80 milionë euro. Fluturimi i avionit të parë parashikohet në vitin 2023-2024. Kjo bazë ka rëndësi edhe për të përforcuar atë rëndësinë dhe pozicionin strategjik që Shqipëria ka me rajonin. Në Pashaliman, Turqia ka kontribuar për modernizimin, por deri këtu. Jo siç është spekuluar për t’ia kaluar atë Turqisë“, deklaroi ministri.

Ministri tha se satelitët e porositur nga qeveria shqiptare do të jenë multifunksional.

“Ato do t’i shërbejnë Ministrisë së Mbrojtjes për të parë parcelat e kanabisit, Ministrisë së Bujqësisë për të monitoruar tokat bujqësore dhe gjithashtu për të pasur imazhe të qarta në rast emergjencash civile”, tha ai.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, po punohet për të përcaktuar strukturën që do menaxhojë satelitët. Deri tani kanë në dispozicion një bazë të mirë të përpunimit të imazhit.

“Bëhet fjalë për një shërbim të imazheve satelitore që i merr në mënyrë periodike dhe të porositura” sqaroi ai.

Duke folur për imazhin e ushtarakut në vendin tonë, ministri tha se me 1 korrik pagat do të rriten me 30 %. “Kjo e bën pagesën ndër më të lartat në Ballkanin Perëndimor”, tha ai./atsh


MË SHUME NGA Shqipëri