Policia: Një makinë pa targa na pengoi gjatë detyrës në afërsi të Ujmanit
Policia e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën në orët e mbrëmjes zyrtarët e saj kufitar janë penguar nga dy automjete civile pa targa, në afërsi të Liqenit të Ujmanit.
Sipas një njoftimi të Policisë, në pjesën veriore të Mitrovicës, zyrtarët kanë vërejtur një kamion që dyshohej për kontrabandë me mallra, por nuk mundën ta ndalën atë, pasi u penguan nga dy makina pa targa.
“Dy automjetet civile, me lëvizjet e tyre dhe krijimin e pengesave në rrugë, kanë penguar zyrtarët policorë, duke iu pamundësuar ndaljen e kamionit i cili dyshohej për kontrabandë mallrash”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia tha se pas kësaj ka alarmuar të gjitha njësitë relevante, që kanë asistuar zyrtarët kufitarë për hetimin dhe kërkimin e personave si dhe të automjeteve të dyshuara.
Policia e Kosovës ka thënë se vazhdon angazhimin dhe përkushtimin në realizimin e detyrave dhe aktiviteteve policore, në zbatim të ligjit dhe parandalimit të veprimtarive kriminale.
Liqeni i Ujmanit gjendet në Komunën e Zubin Potokut, që është e banuar me shumicë serbe.























