Basha: Mbështetje për SPAK në luftën kundër korrupsionit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot pas dëshmisë para prokurorit belg në SPAK për çështjen Toyota Yaris, se PD është e vendosur në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Kam kënaqësinë që të jem përsëri në praninë e përfaqësuesve të drejtësisë belge. Çështja në Belgjikë, siç ju kam thënë, siç i kam thënë gjithë shqiptarëve nuk është mbyllur, siç ka ndodhur me çështjen këtu. Paratë e konfiskuara nuk iu janë kthyer por mbeten të konfiskuara. Hetimi në Belgjikë vazhdon dhe drejtësia belge është e vendosur t’i shkojë hetimit deri në fund”, tha Basha.
“Në këtë kuadër për herë të dytë dhe sa herë të jetë e nevojshme, siç e kam treguar gjithmonë, do të bashkëpunoj me drejtësinë belge, me drejtësinë e çdo vendi partner në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe në veçanti lidhjet e krimit të organizuar me politikën që po shkatërron ditë për ditë Shqipërinë dhe mirëqenien e shqiptarëve. E bëj këtë në radhë të parë me vetëdijen se ky është një mision, për PD, ky është një proces që bëhet por të tillë ka të shumtë”, u shpreh Basha.
“Krimi i organizuar është një fenomen kudo por përmasat e bashkëpunimit të krimit të organizuar me politikën në Shqipëri janë unike dhe janë arsyeja kryesore përse shqiptarët janë vit për vit më të varfër, me të të pashpresë dhe më të palirë sesa çdo popull tjetër edhe në Ballkan, jo me krahasuar me Evropën”, theksoi Basha.
“Ndaj një gjë dua t’i siguroj gjithë shqiptarët përmes jush, përmes medieve shqiptare, unë dhe PD jo vetëm jemi në dispozicion të drejtësisë belge në këtë rast por të drejtësisë në përgjithësi dhe do të vazhdojmë të jemi proaktivë në luftën krimit të organizuar, kundër lidhjes së politikës me krimin, korrupsionit, duan apo nuk duan të dyshuarit, të pandehurit, të korruptuarit, “non-grata” e shpallur apo të pashpallur. Situata e Shqipërisë është kjo, që për fat të keq edhe përmes keqinformimit iu është thënë shqiptarëve që çështja është mbyllur, që janë ndarë paratë midis politikanëve të akuzuar se kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar dhe akuzueses, PD-së. E vërteta është krejt ndryshe: Paratë janë konfiskuar, procesi vazhdon në Belgjikë. Ka mbështetjen tonë të plotë. E treta që dua të them është që punonjësit e ndershëm të SPAK dhe BKH kanë dhe do kenë mbështetjen e plotë të PD për të ecur përpara me hetimin e çështjeve nën juridiksionin e tyre. Është arsyeja pse janë krijuar. Është arsyeja pse paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Nuk janë vartësit e askujt përveç ligjit shqiptar dhe taksapaguesve shqiptarë”, tha Basha. /atsh























