Rama: Ajo që kemi bërë për Drejtësinë në këto pak vite është e paprecedent
BKT
Shqipëri

Rama: Ajo që kemi bërë për Drejtësinë në këto pak vite është e paprecedent

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ajo që PS ka bërë për Drejtësinë në këto pak vite është e paprecedentë, jo në historinë e vendit tonë, por është e paprecedentë në tërësi.

Në një prononcim pas mbledhjes së Kryesisë së PS, Rama tha se, “jemi mbledhur për Këshillimin Kombëtar sepse tani që shtrirja e shpërndarjes ka kaluar gjysmën është koha për të filluar një angazhim në territor dhe do të prekim praktikisht gjithë territorin për të folur me njerëzit lidhur me temat e Këshillimit Kombëtar, lidhur me nevojën për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të thelluar këtë proces.

“Është një proces i ri, por që shpresoj që shumë që hap pas hapi të na japë mundësinë ta fusim politikën në hullinë e çështjeve që kanë rëndësi për jetën  e përditshme të njerëzve, çështje që kanë lidhje me vendimet e qeverisë”.

“Këto janë vendime të qeverisë, për të cilat ne kemi dilema. Pra nuk është se ne po ju themi njerëzve na jepni ju opinione për vendime që shkojnë përtej nesh që ne t’i përdorim ato për luftë politike. Jo. Ne po i themi njerëzve për të gjitha këto çështje kemi dilema. Në të dyja rrugët që mund të ndjekim ka argumente për t’i ndjekur. Fjala vjen, duhet apo s’duhet ta legalizojmë kanabisin mjekësor. Ka argumente pro dhe kundër për të dyja rrugët. Deri tani kemi ndjekur rrugën e jo-së, por mos vallë është dita që të ndjekim rrugën e po-së. Ta dëgjojmë çfarë do thonë shqiptarët, pa dallim partish, pa dallim simpatish, anonimë. Zarfet janë anonimë. Nuk kërkohet asgjë tjetër përveç se opinionit për t’u bashkuar. Se nga përçarja e vazhdueshme nuk kemi nxjerrë dot maksimumin tonë si komunitet, si bashkësi, si shqiptarë. Dhe nga përçarja e vazhdueshme faktikisht kostoja kryesore ka rënë mbi çështjet që kanë më shumë rëndësi, që kanë marrë më pak kohë, ndërkohë që pjesën më të madhe të kohës e ka zënë politika e përçarjes”, u shpreh Rama.

Rama u shpreh se, në mbledhje është folur edhe për zgjedhjet e pjesshme lokale. “Kemi folur për numrat. Ju e dini që ne kemi një mekanizëm të kolauduar që na jep numrat në territor. Kemi folur për pozicionin tonë në të 6-të bashkitë. Pozicioni është relativisht i mirë”, vijoi ai.

I pyetur për patronazhistët, Rama tha se kanë nisur punën. “Patronazhistët janë pjesë e PS-së. Nuk diskutohet si të mos nisë puna. Patronazhistët janë si ju, janë njerëz në terren që bëjnë punën e tyre në terren. Patjetër nuk diskutohet”, u shpreh Rama.

Sa i përket pritshmërive në këto zgjedhje, Rama u shpreh se, “besoj se do të kemi rezultat pozitiv, shumë pozitiv madje, jo pozitiv”.

I pyetur për bashkimin e votave me PD-në për zgjatjen e mandatit të organeve të Vetingut, Rama tha se, “çdo gjë që bashkon është diçka pozitive”.

“Arsyet si, qysh, tek nuk kanë rëndësi përpara faktit që sot ne kemi zgjatjen e mandatit për një proces, që ka qenë proces i dhimbshëm, proces i vështirë, një proces me pjesët e veta shumë pozitive, edhe me elementët e vetë problematikë. Nuk ka qenë një proces perfekt, por është një proces pastrimi një llumi të madh të grumbulluar në sistemin e drejtësisë, në një vend që s’ka pasur drejtësi kurrë. Dhe atyre që thonë, “ua, si, qysh, tek, pse, jo drejtësia këtu, drejtësia aty”, u them që në Shqipëri s’ka pasur drejtësi kurrë. Në Shqipëri s’ka pasur kurrë një sistem drejtësie, siç ka pasur në vendet që ne i shikojmë me zili, kur ne nuk ishim bërë akoma shtet. Dhe për të ndërtuar një sistem drejtësie të drejtë, nuk mjafton të duash ta ndërtosh, nuk mjafton të kalosh reformën në letër, por duhet edhe një durim i madh për ta zbatuar. Kështu që ajo që kemi bërë ne për drejtësinë në këto pak vite është e paprecedentë, jo në historinë e vendit tonë, por është e paprecedentë në tërësi, sepse kemi ecur me një shpejtësi të skëterrshme, që ka pasur edhe kjo kostot e veta”, u shpreh Rama.

“Kështu që është lajm i mirë që zgjatëm mandatin, që ai institucion i konsoliduar tanimë i Vetingut, të vazhdojë ta çojë deri në fund punën dhe të vazhdojë ta pastrojë llumin deri në fund, se ka akoma shumë llum në gjykatat e shkallëve të para dhe shkallëve të dyta, ku ka një pjesë të madhe që ende nuk e kanë kaluar Vetingun. Dhe ku ka një pjesë që duke e ditur që s’do e kalojnë vetingun vazhdojnë i bien drejtësisë me çekiç në kokë çdo ditë”, tha Rama.

I pyetur nëse ka pasur negociata mes PD-së dhe PS-së apo ishin ndërkombëtarët ata që kanë negociuar, Rama tha se, “Nuk kam ndonjë dijeni për ndonjë negociatë në anglisht. Ne nuk negociojmë në anglisht”.

I pyetur si e bindi PD-në, Rama tha se, “nuk bindëm asnjë. Ne vajtëm sot për të votuar dhe erdhën të tjerët votuan. Kaq”.

I pyetur se me kë prej PD-ve negocion PS, Rama u shpreh se, “ne nuk negociojmë me asnjërën prej të dyjave”. /atsh


MË SHUME NGA Shqipëri