VIDEO: Shqiptarët e Ukrainës të shqetësuar pas tensioneve me Rusinë
Në Karakurt të Ukrainës jeton një komunitet prej rreth 5 mijë banorësh me prejardhje shqiptare.
Aleksander Dermenkli është kryetar i shoqatës “Bashkimi i Shqiptarëve të Ukrainës”. Ai thotë se ata jetojnë në një zonë shumë larg zonave të konfliktit.
Dermenkli thotë se ka disa ushtarakë shqiptarë në Ukrainë, kur një numër prej tyre janë edhe në zonat e konfliktit.
Ai beson se pavarësisht situatës së tensionuar luftë nuk do të ketë. “Situata ditë për ditë është më keq, por tani për tani është nën kontroll. Ne jemi larg nga zona e konfliktit 1000 km. Luftë nuk do të ketë. Do të ulen politikanët në tavolinë dhe do të flasin. Kjo është luftë diplomatike. Nuk besoj se do të ketë luftë”, tha Dermenkli në një lidhje direkte për RTK-në.
Ai thotë se shqiptarët nga Kosova e Shqipëria por edhe diaspora janë shprehur të gatshëm për t’iu dalë në ndihmë dhe madje edhe për t’u përfshirë në luftë.
Dermenkli ka thënë se situata në qytetin ku jeton është e qetë dhe lokalet janë të hapura dhe nuk ka panik.
Ndërkohë, pas tensioneve Rusi-Ukrainë, ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë u ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të largohen sa më parë nga Ukrania.























