Tatum udhëheq Bostonin në fitoren e radhës, Edwards heroi i Minnesotas
BKT
Sport

Tatum udhëheq Bostonin në fitoren e radhës, Edwards heroi i Minnesotas

Bostoni është i papërmbajtshëm dhe merr fitoren e tetë radhazi në NBA, pasi mposhti 105-95 Atlantan, i udhëhequr nga Jason Tatum, që realizon 38 pikë.

Minnesota Timberwolves fiton në trasfertë përballë Indiana Pacers 129-120, e frymëzuar nga Anthony Edwards, që shënon 37 pikë.

Jason Tatum konfirmohet lideri i Bostonit dhe udhëheq Celtics në një fitore të bukur në shtëpi përballë Atlanta Hawks. Vendasit vuajnë në fillim të sfidës dhe mbyllin pjesën e parë në disavantazh, pasi Trae Young dhe Bogdanovic janë të papërmbajtshëm.

Por kur Tatum futet në lojë, ndryshon gjithçka dhe Bostoni mbyll periodën e tretë 42-21, duke ruajtur avantazhin e krijuar deri në fund të sfidës. Young shënon 30 pikë, por nuk mjaftojnë për të shpëtuar Hawks.

Ylli i Celtics, Tatum shënon 38 pikë dhe 10 rebounde, ndërsa Williams bën një ndeshje të mirë, ku shënon 10 pikë dhe 14 rebounde.

Minnesota rikthehet tek fitorja pas 2 humbjeve radhazi në kampionat, pasi mposht në transfertë 129-120 Indiana. Anthony Edwards bën një paraqitje të shkëlqyer dhe realizon 37 pikë, ndërsa D’Angelo Russell ndihmon me 23 pikët e tij.

Miqtë mbyllin pjesën e parë në avantazh, Pacers rifuten në lojë në periodën e tretë, por nuk arrijnë të evitojnë humbjen e 6 radhazi në NBA.

BOSTON CELTICS – ATLANTA HAWKS 105-95
INDIANA PACERS – MINNESOTA TIMBERWOLVES 120-129