Robelli: Roli i Rusisë në Ballkan është shumë destrukiv
Këtë javë është paralajmëruar se mund të ketë sulm të Rusisë mbi Ukrainën. Redaktori i politikës së jashtme në të përditshmen zvicerane “Tages Anzeiger”, Enver Robelli, vlerëson se mund të ketë provokime nga pala ruse.
“Duhet pritur se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim, por personalisht nuk besoj se nesër mund të ketë ndonjë sulm. Mendoj se strategjia amerikane është shumë interesante, faktikisht diplomacia amerikane duke i publikuar raportet e shërbimeve sekrete. Amerikanët duan të shkaktojnë pasiguri në ekipin rreth Putinit, pra t’ua bëjnë të qartë njerëzve rreth Putinit, se ju keni për të humbur shumë nëse rrezikoni një luftë me Ukrainën”, tha Robelli në një lidhje direkte me Skype për edicionin e lajmeve të orës 13:00 në RTK.
Ai vlerësoi se Putini është i izoluar dhe nuk ka kontakte të shumta, por ai takimet i zhvillon ne forma të tjera.
Për rolin e palës gjerman, Robelli tha se ajo ka probleme në lidhje me Rusinë. “Janë lidhje biznesore, emocionale, Gjermania nuk ka rol vendimtar, ajo gjendet në situatë delikate, ligjet gjermane e ndalojnë furnizimin me armë”, tha ai.
Sipas tij iniciativën për bisedime e ka marrë Franca në këtë rast Makroni e që mund t’i shërbejë edhe për zgjedhjet që mbahen në prill të këtij viti në Francë.
Robelli tha se problemi i brendshëm i Rusisë është se nuk e dinë kur fillon dhe kur përfundon. “Ambicia e Putinit është ta detyrojë Perëndimin ta trajtojë si partner i barabartë”, tha ai.
Për mundësinë e involvimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, redaktori i politikës së jashtme në të përditshmen zvicerane “Tages Anzeiger”, Enver Robelli, theksoi se Rusia është e involvuar në rajon, në këtë rast në Serbi.
“Rusia është e pranishme në rajon në mënyrë destruktive prej vitesh. Raportet me Serbinë janë shumë të ngushta. Mendoj se kjo do të vazhdojë për aq kohë sa i krijohet hapësirë nga BE-ja e SHBA-ja. Roli i BE-së në vitet e fundit në rajon ka filluar të zbehet, ajo nuk ka rol sikur kishte para 15 viteve, kur premtonte anëtarësim të vendeve të rajonit në BE. Tani askush nuk beson se do të ketë anëtarësim në 10 - 15 vjet, madje ka njerëz që thonë se duhet harruar anëtarësimi në BE. Ky është një problem i madh, sepse sa më shumë i krijohet hapësirë Rusisë në rajon nga vendet e perëndimit, atë vakum do ta përmbush Rusia. Kjo është një sfidë edhe për shoqërinë e edhe për politikën, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet tjera në rajon, me përjashtim të Serbisë, e cila po luan pingpong diplomatik, ku edhe përfiton nga BE, por edhe mban lidhje të ngushta me Rusinë”, ka përfunduar Robelli.























