KM Rama: Në kohë të vështira dialogu është paqja
Në Nju Jork u zhvillua ceremonia zyrtare e marrjes së mandatit dyvjeçar të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në ceremoninë me përfaqësitë e 193 vendeve anëtare të OKB-së foli kryeministri Edi Rama. Zoti Rama tha se të drejtat e njeriut mbeten princip dhe sfida është që të bëhet gjithçka në mënyrë të drejtë.
Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria i anëtare e jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 2022-2023 është ngjarje historike që mundëson ndihmesën për një vend dhe botë më të mirë, raportoi korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.
Zoti Rama theksoi se Këshilli i Sigurimit flet në emër të vlerave, se të drejtat e njeriut mbeten princip për Shqipërinë dhe se sfida është që të bëhet gjithçka në mënyrë të drejtë.
Kryeministri foli në Nju Jork në ceremoninë e marrjes së mandatit dyvjeçar të Shqipërisë me përfaqësitë e 193 anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, nga Senati dhe Kongresi amerikan dhe komuniteti shqiptaro-amerikan.
“Mënyra jonë e drejtpërdrejtë për të kontribuar në lehtësimin e vuajtjes së atyre në nevojë ka qenë të japim atë çka kemi, kur kemi mundur, kur është dashur ta bëjmë: u kemi hapur shtëpitë dhe zemrat atyre që kanë nevojë për shpëtim dhe strehë; qofshin ata hebrenjtë gjatë Holokaustit, kur Shqipëria u bë i vetmi vend që kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa përpara saj apo për gjysmë milionë kosovarë, që iknin nga spastrimi etnik i regjimit mizor të Sllobodan Milosheviçit; apo mijëra pjesëtarë të MEK-ut, që janë strehuar të sigurt në Shqipëri dhe, me së fundi, mijëra afganë që u arratisën nga reprezaljet e talebanëve”-tha ai. Folësit trajtuan marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, me Kombet e Bashkuara, lufta kundër dhunës ekstreme apo ndryshimet klimatike.
Vëmendje iu dha gjithashtu ndryshimeve të Shqipërisë në partneritet me Shtetet e Bashkuara. Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se Shqipëria ka ndryshuar shumë që nga koha kur filloi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Presidenti i Këshillit të Sigurimit tha se Shqipëria do të sjellë ndryshime unike në Këshillin e Sigurimit.
Në Kombet e Bashkuara prej 66 vjetësh, Shqipëria u bë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit më 1 janar 2022 pas votimit të 11 qershorit 2021.























