Sveçla: S’ka draft final të Ligjit të pagave
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka mohuar se ka një draft final të Ligjit të pagave, pas rrjedhjes në publik të disa pjesëve të këtij draft ligji.
I pari i MPB-së tha se lajme të tilla kanë qëllime të këqija dhe krijimin artificial të pritjeve me idenë se të njëjtat pastaj mund të keqpërdoren për nxitje të pakënaqësive.
Sipas tij, vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publikë, meqë e njëjta përcaktohet me Ligjin e buxhetit.
“Ministria e Punëve të Brendshme dëshiron të informojë qytetarët se vala e pseudolajmeve që po përhapen me shpejtësi në mediat tona rreth ligjit për pagat e zyrtarëve publikë është e pavërtetë dhe qëllimkeqe. As nuk ka draft final të Ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit”, ka shkruar ai në Facebook.
Duke thënë se kjo është një valë e dezinformatave, Sveçla ka shtuar se kjo mund të keqpërdoret për ngritje të debateve të kota krahasuese.
“Kjo valë e dezinformatave ka për qëllim krijimin e konfuzionit dhe krijimin artificial të pritjeve me idenë se këto pritje pastaj shumë lehtë mund të keqpërdoren për nxitje të pakënaqësive dhe ngritje të debateve të kota krahasuese”, ka shtuar Sveçla.
Ai ka thënë se do ta ndajë draftin final me publikun në momentin kur i njëjti të finalizohet.























