Blinken: Kënaqësi të festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri
BKT
Shqipëri

Blinken: Kënaqësi të festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri

Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken ka reaguar në twitter lidhur me takimin që pati me Kryeministrin Edi Rama në Departamentin e Shtetit.

Blinken shprehu kënaqësinë për takimin e zhvilluar në kuadër edhe të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.

“Ishte kënaqësi të prisja Kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe të festonim 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri. Ne mirëpresim 100 vitet e ardhshme”, nënvizon Blinken lidhur me takimin e tij me Kryeministrin Rama në Washington D.C.

Ndërkaq mbrëmjen e djeshme Departamenti Amerikan publikoi detaje nga takimi si dhe zbardhi fjalën e plotë të Sekretarit Amerikan Blinken dhe kryeministrit Rama ku kanë biseduar gjithashtu edhe mbi bashkëpunimin e fortë dhe të vazhdueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë mbi çështjet dypalëshe, rajonale dhe globale.

“Sekretari vlerësoi traditën e vazhdueshme të Shqipërisë për ofrimin e një vendi të sigurt për ata në nevojë. duke pritur afganët që ishin në rrezik për jetën. Sekretari vuri në dukje bashkëpunimin e fortë të Shqipërisë në NATO dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe falënderoi kryeministrin Rama për mbështetjen e qartë të Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës kundër agresionit rus. Sekretari përsëriti mbështetjen e SHBA për pranimin e Shqipërisë në BE dhe integrimin ekonomik rajonal, ndërsa theksoi nevojën për të zbatuar plotësisht reformën në drejtësi dhe për të luftuar korrupsionin”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Sekretari Blinken shprehu kënaqësinë për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB për periudhën 2022-2023.

Ai vlerësoi angazhimin dhe kontributin e Shqipërisë ndër vite, në organizma të shumta të Kombeve të Bashkuara, në të mirë të paqes dhe mirëkuptimit mes vendeve.

Në mënyrë të veçantë, Sekretari Amerikan i Shtetit vlerësoi gatishmërinë e Kryeministrit Rama dhe të qeverisë shqiptare për të ofruar strehë dhe mikëpritje për refugjatët afganë, në Shqipëri.

“Më duhet t’ju them Kryeministër atë që më ka mbetur mbresë e do të mbetet për një kohë të gjatë, fakti që, në fillim të verës, pasi shpallëm se do të largoheshim nga Afganistani dhe do t’i jepnim fund luftës atje, ju ishit i pari që u ofruat të prisnit  refugjatët, të shpëtuarit afganë dhe kjo është saktësisht ajo që bëtë. Ky është një nderim i madh për ju dhe për bujarinë e Shqipërisë, që iu ofruat një strehë të sigurt mbi 2 000 afganëve. Ju jam mirënjohës për këtë, por edhe për punën që bëni çdo ditë në Europë për sigurinë dhe forcimin e lidhjeve të ngushta, sidomos përmes NATO-s dhe, po ashtu, siç e thashë, në Këshillin e Sigurimit, ku kemi shumë çështje sfiduese për të cilat duhet të punojmë së bashku”, u shpreh Sekretari Blinken.

“Ne e vlerësojmë këtë miqësi, këtë marrëdhënie si gjënë më të vyer. Jemi shumë krenarë të gjendemi krah jush dhe të ndihmojmë sa të mundemi, për të kthyer atë çka ju keni bërë për ne gjatë këtyre viteve, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo që ndodhen. Kështu, jemi shumë krenarë që jemi aleatët tuaj dhe do të bëjmë maksimumin për ta merituar këtë miqësi të veçantë”, – u shpreh kryeministri Rama gjatë takimit.


MË SHUME NGA Shqipëri