Rama: Shqipëria në Këshillin e Sigurimit me dinjitet
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në një bashkëbisedim me gazetarët shqiptarë nga Uashingtoni, se “ne nuk pretendojmë të luajmë role që nuk na takojnë, por kemi arritur që t’i japim vendit dinjitet dhe respekt, që nuk e ka pasur deri dje”.
Rama tha se “në çdo tryezë ne sillemi dhe trajtohemi plotësisht si të barabartë nga kushdoqoftë”.
“Puna në Këshillin e Sigurimit është intensive, e përditshme dhe çdo ditë sjell gjëra të reja. Në qershor do të rikthehemi në Nju Jork, por anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit askush nuk kishte kurajon ta imagjinonte, as në ëndrrën e vet më të guximshme disa vite më parë. Sot Shqipëria është në Këshillin e Sigurimit, ashtu sikurse ishte në krye të OSBE-së. Ne nuk pretendojmë të luajmë role që nuk na takojnë, por kemi arritur që t’i japim vendit dinjitet dhe respekt, që nuk e ka pasur deri dje. Në çdo tryezë ne sillemi dhe trajtohemi plotësisht si të barabartë nga kushdo qoftë”, tha Rama.
Ndërkohë kryeministri u shpreh se “ne nuk kemi absolutisht asnjë problem tonin me Rusinë”.
“Rusia nuk është një vend armik, nuk është një vend kundërshtar dhe unë këtë e kam thënë në çdo instancë. Nuk është një vend kundërshtar jo i yni, por as edhe i gjithë aleancës tonë. Rusia është vend rival, konkurrent, për arsye të njohura të gjeopolitikës”, tha Rama.
Ai kujtoi se “edhe gjatë kohës kur drejtonim OSBE-në, jam takuar me ambasadorin rus dhe kemi pasur një marrëdhënie pozitive duke pasur qëndrime të ndryshme”.
“Natyrisht çdo mundësi, çdo rast apo shans për komunikim, dialog dhe bisedime duhet shfrytëzuar maksimalisht. Ne jemi këtu për të bërë tonën, por nuk marrim përsipër ato që nuk na takojnë. Jemi pa asnjë ekuivok në krah të SHBA-së dhe partnerëve tanë perëndimorë. Kur na kërkohet mendimi, japim mendimin tonë dhe kur flasim japim mendimin tonë në të gjitha instancat”, tha Rama. /atsh























