Gjykata Kushtetuese nuk e shkarkoi presidentin Ilir Meta
BKT
Shqipëri

Gjykata Kushtetuese nuk e shkarkoi presidentin Ilir Meta

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk e miratoi votimin e Kuvendit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Zoti Meta do të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit pesëvjeçar, 24 korrik 2022.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e shpallur mbrëmjen e vonë të së mërkurës vëren se presidenti nuk ka shkelur rëndë Kushtetutën sikurse pretendonte Kuvendi kur e shkarkoi me 104 vota në qershor 2021.

Gjyqtarët arsyetuan se thirrjet për sipas zotit Meta për mbrojtjen e votës apo kritikat ndaj partnerëve ndërkombëtarë nuk janë shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe nuk përbëjnë shkak për ta shkarkuar presidentin, njoftoi korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.

Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese i quajti të ligjshme procedurat e ndjekura nga Kuvendi duke rrëzuar pretedimet e presidentit për tejkalim afatesh ligjorë përfshi krijimin e Komisionit Hetimor në katër muajt e fundit të mandatit të deputetëve.

Komisioni i Posaçëm Hetimor i Kuvendit e shkarkoi presidentin Meta pasi tha se gjeti shkelje të Kushtetutës dhe thirrje për dhunë përpara, gjatë dhe pas fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit.

Gjykata Kushtetuese u dërgoi mbi 70 pyetje presidentit dhe thuajse 60 Kuvendit për mësuar mbi qëllimin, natyrën, domethënien, arsyen e deklaratave, procedurave dhe vendimin.

Gjykata Kushtetuese në 7 shkurt 2022 la 30 ditë afat për vendimin e shkarkimit ose jo të zotit Meta.

Presidenti Meta kishte kallëzuar penalisht struktura të funksionarëve përgjegjës në Kuvendin e Shqipërisë për veprat penale të kryera në bashkëpunim "falsifikim dokumentesh". 

Rasti i përket procesit shqyrtues nga Gjykata Kushtetuese të vendimit të Kuvendit për ta shkarkuar zotin Meta.

Këshilltari i Presidentit, Bledar Dervishaj tha se janë evidentuar edhe përpara Gjykatës Kushtetuese fakte të manipulimit të disa akteve shkresore që Kuvendi i ka depozituar.

Zoti Meta ishte i ashpër në fjalët drejtuar atyre që i quajti "rilindas vendas" si dhe ndërkombëtarë:

“Krimi i falsifikimit është shumë flagrant të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë, përpjekja për të realizuar një grusht shteti. Ta harrojnë njëherë e përgjithmonë ata që kanë menduar që në mënyrë mafioze, rilindas vendas mavi dhe blu, dhe ndërkombëtarë, se do të varrosin defakto pluralizimin politik e do të dhunojnë popullin e Shqipërisë, do të dëshpërohen pa fund e do të marrin përgjigjen e merituar! Për këtë ju jap fjalën”!


MË SHUME NGA Shqipëri