Vendimi për Metën, Rama: Gjykata Kushtetuese nuk varet nga qeveria
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se nuk komenton vendimet e gjykatave.
Në përgjigje të komentit të një qytetari në Facebook mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mosshkarkimin e Presidentit Meta, Kryeministri Rama u shpreh se “Gjykata Kushtetuese nuk varet nga qeveria”.
“Gjykata Kushtetuese nuk varet nga qeveria i dashur Bajram dhe nuk e kuptoj për çfarë dalje zbuluar e ke fjalën, sepse faktikisht Gjykata Kushtetuese doli kundër vendimit tonë! Ah, nëse ti ke menduar se unë duhet të kontrolloj edhe Gjykatën Kushtetuese atëherë ky nuk është faji im, sepse detyra ime është komplet tjetër dhe për sa kohë e kemi zgjedhur këtë sistem, duhet të pajtohemi edhe me faktin se pushtetet e pavarura mund të marrin vendime që nuk na pëlqejnë! Unë nuk dua t’i komentoj vendimet e gjykatave, sepse nuk më takon, por që të më thuhet se një vendim gjykate që bie ndesh komplet me qëndrimin tim, qenka zhgënjim prej meje, kjo është absurde fare”, tha Rama./atsh























