Shqipëria në fillim të marsit do t`i rishikojë masat kundër COVID-19
BKT
Shqipëri

Shqipëria në fillim të marsit do t`i rishikojë masat kundër COVID-19

Denion Ndrenika

Qeveria në Tiranë thotë se në dy javët e para të muajit mars Komiteti Teknik i Ekspertëve do të bëjë vlerësimin për të vendosur lehtësimin ose jo të masave parandaluese kundër përhapjes së Koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë thotë megjithatë se pavarësisht lehtësimit të masave ose jo, vaksinimi është thelbësor.

Shqipëria ka miratuar kontratën për 1 milion doza të vaksinave "Pfizer", plus 500 mijë doza opsionale.

Ministrja Ogerta Manastirliu tha se vazhdon fushata e vaksinimit që nga janari 2021 me injektimin tashmë të dozës së tretë, raportoi korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.

“Janë më shumë se 2 milion e 680 mijë vaksinime dhe kanë mbërritur mbi 3.1 milion doza vaksine ndaj COVID-19. Jemi ende në kushtet kur duhet të rrisim mbulesën vaksinale, sidomos te grupmoshat e reja. Kemi indikatorë të përmirësuar, një incidencë në ulje, për të vlerësuar edhe në dy javët e para të muajit, do të rishikohen”-tha ministrja.

Zonja Manastirliu foli pas takimit me zëvendëspresidentin e Zvicrës, njëherësh dhe Ministër i Punëve të Brendshme, Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me të cilin kanë vizituar qendrën shëndetësore të Vorës, e rikonstruktuar falë mbështetjes së qeverisë zvicerane.

Sipas ministres Manastirliu, përgjatë gjithë këtij viti fjala kyçe do vijojë të mbetet vaksinimi dhe vaksinimi me dozën e tretë është sërish shumë i rëndësishëm në funksion të rritjes së imunitetit dhe shmangies të formave të rënda të sëmundjes.

Shqipëria numëron 3 mijë e 438 viktima, 5 në 24 orët e fundit dhe gjithsej 270 e 164 raste pozitive që kur pandemia u shfaq në 8 dhe 9 mars 2020.

Raste të shëruara janë 261,798, kurse raste aktive 4,928


MË SHUME NGA Shqipëri