Nis zyrtarisht fushata zgjedhore për vendoret e pjesshme të 6 marsit
Denion Ndrenika
Në Shqipëri filloi zyrtarisht sot fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.
Kryekomisioneri Shtetëror, Ilirjan Celibashi kujtoi se subjektet zgjedhorë të regjistruar dhe kandidatët e tyre, kanë detyrimin për të bërë fushatë duke respektuar Kodin Zgjedhor.
Zoti Celibashi vendosi hashtagun "Vota Vlen Gjithmonë" për të nxitur pjesëmarrjen për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive Dibër, Durrës, Shkodër, Rrogozhinë pranë Kavajës, Vorë pranë Tiranës dhe Lushnjë.
Presidenti Ilir Meta tha se rëndësi kanë zgjedhjet e lira, të drejta dhe të ndershme me fushatë sipas ligjeve, Kodit dhe Kushtetutës, njofoti korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, opozitare, ishte në Shkodër, ndërsa kryetari i deputetëve socialistë qeveritarë Taulant Balla në Lushnjë.
“Shkodra do të votojë Partinë Demokratike të Shqipërisë, sepse shkodranët që nuk i gënjeu dot as Enver Hoxha nuk i gënjen dot askush tjetër me asnjë marifet”-tha zoti Basha.
Kurse, kryedeputeti socialist Balla theksoi se “nuk ka në Lushnjë votë për t'ia dhënë Saliut që Saliu ta përdorë për t'iu kundërvënë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Kandidat-kryetari i Shkodrës u hetua për fshehje dënimi në Itali;
Kryebashkiaku i Lushnjës u arrestua nga Prokuroria e Posaçme;
Kryetarja e Durrësit dha dorëheqjen pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019;
Në bashkinë Vorë kryetari u shpall në kërkim nga drejtësia pasi fshehu dënimin në Greqi.
Në Rrogozhinë kryetari i bashkisë ndërroi jetë, ndërsa Dibër dha dorëheqjen pasi kandidoi për deputet.























