De Gea: "Old Trafford" është shtëpia ime, s’e shoh veten larg Unitedit
David De Gea tashmë e ka kaluar momentin e vështirë. Portieri spanjoll është rikthyer në formën e tij më të mirë dhe po e ndihmon Manchester United të marrë rezultate pozitive me pritjet e tij.
31-vjeçari ka kontratë deri më 2023 me “Djajtë e Kuq” dhe përfiton rreth 15 milionë euro në sezon, duke qenë një nga lojtarët më të paguar në Premier League.
“Gardiani” ka rifituar postin e titullarit tek United dhe në prononcimin e dhënë për faqen e UEFA-s ka dhënë sinjale rinovimi. Të njëjtën dëshirë ka edhe klubi anglez, që së shpejti do të takohet me agjentin Jorge Mendes.
“Tani ndihem sikur jam nga Manchesteri, sinqerisht nuk e shoh veten larg Unitedit. Shtëpia jote është aty ku të duan dhe të mirëpresin. U bënë shumë vite që ndodhem këtu, shpresoj të vazhdoj të jem pjesë e Unitedit edhe për shumë vite të tjera”, ka deklaruar De Gea, i cili mbron portën e United prej vitit 2011.























