Surroi: Thaçi gaboi, hoqi dorë nga anëtarësimi në OKB për Asocacionin
Sonte në emisionin ‘RTK Prime’ ishte i ftuar publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi. Në bisedë me gazetarin Bashkim Vishaj, Surroi foli për Asocacionin e Komunave Serbe.
Vishaj përmendi Marrëveshjen e vitit 2013 të nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe atë të vitit 2015, e nënshkruar nga Isa Mustafa, dhe se të dytë kishin deklaruar se me formimin e Asocacionit, serbët nuk do të kenë kompetenca ekzekutive përmes tij. Madje, edhe Mustafa kishte marrë garanci nga ish-përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini se Serbia nuk do të ketë një pushtet të tretë në Kosovë përmes Ascocacionit.
Mirëpo, publicisti Surroi thotë se të dy ata nuk kanë shkuar në Bruksel me mendim që të sjellin autonominë serbe në Kosovë, por megjithatë ata nuk ishin të kujdesshëm në atë se çka kanë nënshkruar.
“Ata nuk kanë qenë të kujdesshëm në atë se çka kanë nënshkruar. Posaçërisht, z.Thaçi ka nënshkruar një dokument, në të cilin pushteti qendror i dërgon të drejta Asocacionit. Pushteti qendror nuk mund t’i delegojë dhe dërgojë kompetenca një organizate joqeveritare. Ajo mund t’i delegojë një instance më të ulët juridike, funksionale dhe administrative. Në këtë rast nuk është komuna, por është bashkimi i komunave, pra është një territor autonom.
Pra, përshkrimin që e ka nënshkruar zoti Thaçi ka qenë i gabuar. Për më tepër, në atë marrëveshje atë ditë, pjesë e saj ka qenë edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB. Por, me insistimin e Vuçiqit, edhe pse më herët është pranuar nga Daçiq, kjo pjesë është fshirë, dhe prapë zoti Thaçi ka pranuar ta marrë përsipër Asocacionin e komunave serbe e jo anëtarësimin në OKB. Që atëherë jemi në fazë për kërkim legjitimues ndërkombëtar. Sidoqoftë, asnjë marrëveshje që i ndërtohet vendit, nuk mund të imponohet nëse vendi nuk e pranon atë”, thotë Surroi.
Intervistën e plotë mund ta ndiqni më poshtë:























