LIDERËT KOSOVARË PËRKRAHIN UKRAINËN
BKT
Lajme

LIDERËT KOSOVARË PËRKRAHIN UKRAINËN

Agresionin e Rusisë e kanë dënuar të gjithë liderët institucionalë e politikë në Kosovë.

“Tendecat destabilizuese të saj nëpërmjet përdorimit të aleatit të saj tradicional, Serbisë, synojnë të shkaktojnë destabilizim edhe në rajonin e ballkanit, përpjekjet e tilla i denojmë fuqishëm, siç edhe dënojmë edhe kërcënimin e hapur dhe tendencën për pushtimin e Ukrainës nga Rusia”, deklaroi në kuvend presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, seancën e së enjtes e nisi duke dhënë mbështetje për Ukrainën.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës zyrtarisht e dënon ashpër ndërhyrjen, agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Konjufca.

Agresionin e Rusisë mbi Ukrainën, kryeministri Kurti e cilësoi ditë tragjike për Evropën.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, është e bashkërenduar dhe duke bashkëpunuar me Bashkimin Evropian, Nato-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Mbretërinë e Bashkuar, në mënyrë që të jemi bashkë për paqe, siguri, për mbrojtje të demokracisë dhe të lirisë”, theksoi kryeministri Kurti.

Ministria e mbrojtjes së Kosovës, përseriti kërkesën drejtuar SHBA-së dhe NATO-s.

“Është koha që SHBA të miratojë kërkesën tonë të kahershme për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake Amerikane në Kosovë.

Për arsyen e njëjtë, gjithashtu vlerësojmë se është koha që kërkesa jonë e përhershme për anëtarësim në NATO të trajtohet me seriozitetin maksimal dhe vendimmarrje konkrete pozitive”, thuhet nga kjo ministri.

Të njëzëri janë edhe partitë opozitare, duke i dhënë mbështetje Ukrainës.

“Shpresim mbështetje për rreshtimin tashmë tradicional të shtetit të Kosovës dhe institucionëve të Kosovës me aleatët tanë perendimorë”, deklaroi kryetari I LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Ndajmë shqetësimin e thellë me botën demokratike për këtë akt të rëndë e të papranueshëm dhe mbështesim qytetarët e Ukrainës që janë detyruar të mbrojnë jetën dhe lirinë e tyre, duke u solidarizuar plotësisht me ta në këtë orë të errët të historisë evropiane”, ka shkruar në Facebook, Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së.

“Jemi përkrah botës demokratike kundër agresionit rus në Ukrainë.

Agresioni i paprovokuar dhe i padrejtë duhet të ndalet menjëherë.

Fitorja është e Lirisë dhe Demokracisë.

Lutjet tona janë për popullin trim dhe krenar të Ukrainës”, ka reaguar në Facebook, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj./RTK/

Për më shumë ndiqni kronikën më poshtë:


MË SHUME NGA Lajme