Rudik për RTK-në: Një i çmendur po e sulmon padrejtësisht vendin tim
BKT
Lajme

Rudik për RTK-në: Një i çmendur po e sulmon padrejtësisht vendin tim

Deputetja e parlamentit të Ukrainës, Kira Rudik, e cila u bë virale pas postimit të një fotografie me pushkë në dorë për ta mbrojtur atdheun e saj nga agresioni i Rusisë, ka dhënë sot një intervistë ekskluzive për Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Rudik theksoi se fotografia e saj që është bërë virale është bërë në ditën kur filloi lufta. “Paramendojeni, në një moment të rehatshëm, në një ditë të zakonshme, del Putini dhe thotë se po fillon lufta. Pasi ndodhi kjo unë shkova në stacionin policor dhe ata na dhanë armët. Unë e mora armën dhe në atë moment thash se duhet ta mbroj familjen, vendin tim, qytetin tim çfarëdo që të vijë sepse ajo çfarë po ndodhë është shumë e padrejtë. Është pa asnjë arsye, ku vetëm një shtet thotë se dëshiron ta pushtoj një vend tjetër, por këtë nuk do ta lejojmë të ndodhë”, ka theksuar Kira Rudik për RTK-në.

Ajo theksoi se nuk është e vetmja grua që ka kapur armën në mbrojtje të vendit, por këtë po e bëjnë edhe shumë gra tjera anëembanë Ukrainës.
"Kjo është një kohë kur të gjithë duhet të ngrihemi, sikurse gratë edhe burrat, të luftojmë krahë për krahë për atë që mendojmë se është e drejtë, të luftojmë për vendin tonë”, ka shtuar ajo.

Tutje ajo e ka përshkruar situatën aktuale në të cilën ndodhet vendi i saj, teksa e ka vlerësuar veprim të një të çmenduri agresionin e Putinit mbi Ukrainën.  
“Unë nuk jetoj shumë me frikë, jetoj me urrejtje. Ne kemi luftuar edhe më parë dhe nuk është bërë asnjë progres. Ai që dëshiron të marrë një shtet të madh, ai ka tentuar të marrë qytete të mëdha dhe ka dështuar dhe askush nuk mund të ma shpjegoj përse po e bënë këtë përveç faktit që është i çmendur dhe jo logjik. Ai (Putin, v.j.) derisa shkatërron vendin e vet pse duhet ta shkatërroj edhe vendin tim”, ka nënvizuar Kira Rudik.

Ajo ka thënë se aktualisht gjendja humanitare nuk është aq e rëndë, derisa përkundër sulmeve të vazhdueshme nga agresori rus, ukrainasit po qëndrojnë dhe nuk e kanë ndërmend të dorëzohen.

"Ne e kemi fondin humanitar. Ata janë duke vepruar shumë shpejt. Nga përvoja personale, si një grua mund të mbijetoj me shumë pak gjëra, por krahasuar me meshkujt është pak më ndryshe. Shumë pjesë të Kievit nuk kanë rënë në duar të rusëve dhe nuk e kemi në plan të dorëzohemi. Të gjithë njerëzit që janë atje janë duke qëndruar. Edhe pse shumëkush na kanë thënë se do të bie Kievi, deri tash ushtarët tanë janë duke qëndruar dhe duke kontrolluar Kievin”, ka përfunduar Kira Rudik.


MË SHUME NGA Lajme