Qelaj: Kemi ligje të mira kundër diskriminimit, çalojmë në zbatim
Sot shënohet Dita ndërkombëtare për zero diskriminim. Lidhur me këtë temë në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK ka folur Avokati i Popullit, Naim Qelaj. Ai theksoi se tashmë është bërë traditë që kjo ditë të shënohet edhe në Kosovë me moton ‘Zero Diskriminim’.
Qelaj tha se nëse e shohim nga aspekti i Kornizës Ligjore, Kosova është ndër vendet në rajon që me Kushtetutë e ka promovimin e lirisë dhe të barazisë për të gjithë pa dallim, duke i trajtuar qytetarët e Kosovës të barabartë dhe pa diskriminim.
“Ne e kemi Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi i cili është miratuar dhe aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës bashkë me pakon e të drejtave të njeriut, e ku janë tri ligje: Ligji për Avokatin e Popullit që e përcakton atë si mekanizëm për mbrojtjen, promovimin dhe mbikëqyrjen e të drejtave të njeriut, Ligji kundër Diskriminimit i cili në vetvete ka parime të përgjithshme të funksionimit të drejtë të institucioneve shtetërore, trajtimit të barabartë të qytetarëve para ligjit dhe mos-diskriminim si dhe Ligjin për barazi gjinore”, tha ai.
Qelaj tha se Kosova vazhdon të ketë ligje të mira, porse sipas tij, ka vështirësi në zbatimin e tyre.
“Kosova çalon në zbatimin e këtyre ligjeve dhe ky është një konstatim i përgjithshëm, i cili në çdo diskutim po theksohet edhe nga vetë autoritetet përgjegjëse të përcaktuara për zbatimin e ligjit. Nëse vazhdojmë me ligje të mira, por zbatim të dobët, atëherë mund të flasim për një diskriminim në shoqërinë tonë dhe përmasat e këtij diskriminimi aktualisht i kemi të pamundur t’i shprehim në përqindje apo në shifra”, theksoi ai duke përmendur edhe numrin e shumtë të lëndëve të pazgjidhura në gjykata.























