Kadrijaj: Gratë e Kosovës u dëshmuan në luftën e UÇK-së
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Time Kadrijaj, njëherit ish-ushtare e UÇK-së, ka deklaruar se dashuria ndaj atdheut nuk njeh gjini. Ajo sot në një intervistë për RTK-në, ka folur për luftën e Kosovës dhe krahasimin me atë të Ukrainës.
“Më vjen mirë që po zhvillohet mobilizim i mirë në Ukrainë, por nuk më vjen mirë që në shekullin 21 po zhvillohet kjo luftë. Më vjen mire që gratë ukrainase po luftojnë për vendin e tyre, po shoh edhe deputetet e Ukrainës që i kanë rrok armët për të mbrojtur atdheun e tyre”, tha ajo për emisionin “Aktual”, në RTK.
Sipas saj edhe gratë kosovare kanë qenë aktive në luftën e Kosovës dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim se gratë e Kosovës nuk do ta kishin kryer detyrën për të mbrojtur atdheun.
Deputetja Kadrijaj e cila ka qenë pjesëmarrëse në luftën e Kosovës, në vitin 1998-1999, vlerësoi se pjesëmarrja në luftë nuk ka qenë e lehtë, por vendosmëria për të pasur Kosovën të lirë i kanë shtyrë gratë e Kosovës të rrokin armët dhe të luftojnë kundër Serbisë.























