Majko për RTK-në: Agresioni i Rusisë në Ukrainë përbën krim lufte
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka thënë se agresioni i Rusisë në Ukrainë përbën krim lufte. Duke folur për situatën në Ukrainë, Majko ka thënë se provat që vijnë nga agresioni rus në Ukrainë dëshmojnë për krime lufte.
“Tani kemi deklaratën e Komisionit të Jashtëm të BE-së që e përshëndeti fillimin e investigimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për situatën në Ukrainë, që të hetohet për krime të luftës. Nuk ka asnjë dyshim nga opinioni ndërkombëtar që ndërhyrja e Federatës ruse karshi Ukrainës pa asnjëlloj shkaku përbën në thelb një krim lufte”, ka theksuar Majko në një intervistë për RTK-në.
Sipas tij ajo që po bën Federata ruse e nxjerrin këtë shtetet nga sistemi i marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Është goditur në mënyrë rrënjësore status-quoja e marrëdhënieve ndërkombëtare në botë, gjë që e ka bërë botën më të paparashikueshme dhe më të dobët sa i përket problemeve të sigurisë. Kjo është arsyeja që Rusia tanimë po përballet me gjithë perëndimin dhe dalëngadalë po e nxjerrin nga sistemi ndërkombëtar. Mendoj se deklarata e Putinit duke e konsideruar perëndimin një botë gënjeshtrash shpreh shumë qartë psikologjinë e këtij njeri”, ka shtuar Majko.
Sot Parlamenti Evropian diskutoi dhe vendosi që të hapë procesin për dhënien e statusit të vendit kandidat Ukrainës për integrim në BE dhe sipas Majkos kjo mënyra e reagimit të Perëndimit është një përgjigje e paprecedentë ndaj një situate të paprecedentë.
“Është një moment ku historia po bëhet likuide dhe ne duhet të jemi të vëmendshëm në lidhje me atë çfarë ndodhë në Ukrainë, por edhe në rajon. Nuk është rastësi që drejtues të rëndësishëm të institucioneve ndërkombëtare kanë shprehur shqetësimin se kriza në Ukrainë mund të zbresë edhe në Ballkan”, ka shtuar ish-kryeministri dhe ish-ministri i jashtëm i Shqipërisë.
Ai ka thënë se vendimi i BE-së për të formuar fond për armatimin e Ukrainës e tejkalon statusin e vendit kandidat.
“Vendimi i BE-së për të krijuar fond për armatimin e Ukrainës tejkalon statusin e vendit kandidat sepse BE po e trajton Ukrainën nga pikëpamja e sigurisë sikur të ishte një hapësirë evropioane. Kjo është hera e parë që BE ka formuar një fond për të ndihmuar një shtet në kushte të agresionit. BE në përgjithësi është i njohur për qëndrimet e tij të dyanshme, por këtë radhë ata që dikur i quanim burokratë të BE-së janë treguar të paprecedentë. Edhe sot rezuluta e Parlamentit Evropian duhet parë nga ky këndëvështrim. Imagjinoni tani po diskutohet edhe kërkesa e Kosovës për t’u bërë anëtare e NATO-s. Kjo mendoj se është një lëvizje shumë e mirë e Qeverisë së Kosovës dhe është në drejtimin e duhur”, ka nënvizuar Majko.























