Theo: Kemi avantazh në ndeshjen kthyese ndaj Interit
Theo Hernandez thotë se Milani e dinte se do të ishte e vështirë në Kupën e Italisë kundër Interit, por barazimi 0-0 në shtëpi sipas tij i jep atyre avantazhin.
Ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës së Italisë në “San Siro” përfundoi pa gola, me Milanin si vendas që kishte shansin më të mirë. “Kemi luajtur një lojë të mirë, e dinim se ishte e vështirë, por ka edhe një ndeshje tjetër për të luajtur në mënyrë që të arrijmë në finale”, tha Theo Hernandez për “Mediaset”. “Ne po japim gjithçka, duke punuar ditë pas dite dhe kemi një sezon të jashtëzakonshëm. Duhet të vazhdojmë dhe të fitojmë”. “Kemi pasur raste për të shënuar, është e vërtetë që nuk mund të fitojmë nëse nuk shënojmë, por luajtëm mirë dhe tani presim ndeshjen e dytë”, tha në fund francezi. Para kësaj, kuqezinjtë vizitojnë Napolin këtë fundjavë në një përballje të Serie A për “Scudetton”.























