Dugolli: Kosova në NATO sjell më shumë paqe e stabilitet në rajon
Pas fillimit të luftës në Ukrainë, lidershipi kosovar dhe vende të ndryshme kanë kërkuar që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s me një procedurë të përshpejtuar. Përkrahje të Kosovës dje i ka dhënë edhe presidenti turk Erdogan, i cili gjatë takimit në Ankara me presidenten Osmani, ka shprehur përkrahje për Kosovën që të jetë pjesë e NATO-s.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Dugolli, tha se Kosova në NATO do të sjellë më shumë paqe e stabilitet në rajon.
"Kosova është e rrethuar me shtete të NATO-s, si me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ndërsa fqinji tjetër Serbia është destruktive dhe përmes saj ka qasje dhe qëllime destabilizuese", tha Dugolli në një intervistë sot në lajmet e orës 13:00 në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Dugolli ka folur edhe për krijimin e Fondit të Sigurisë i cili është hapur .
"Për këtë fond ka pasur interesim edhe nga qytetarët e Kosovës, për të është punuar shumë dhe ne gjithmonë kemi punuar në koordinim me aleatët tanë me ShBA-në dhe BE-në. Procesi i ndërtimit të Ushtrisë së Kosovës është bërë në koordinim me aleatët dhe miqtë tanë, prandaj edhe fondi është hapur në dakordim me ta", tha ai.























