Spahiu: Koha që Kosova të integrohet në BE dhe në NATO
BKT
Lajme

Spahiu: Koha që Kosova të integrohet në BE dhe në NATO

Ish ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Turqi, Avni Spahiu në një intervistë për Radio Kosovën ka folur për zhvillimet e fundit si dhe aspiratat e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.Spahiu ka thënë se diplomacia jonë duhet të jetë aktive në disa drejtime dhe se ka disa gjëra që mund t’i bëjë urgjentisht.

Radio Kosova: Ditët e fundit, kemi parë thirrje nga krerë shtetërorë dhe drejtues të institucioneve të Kosovës të kenë thënë se “Kosova duhet të integrohet me urgjencë në NATO”. Cilat janë veprimet që duhet të ndërmerr diplomacia kosovare në këtë drejtim?

Avni Spahiu: Kërkesa për pranim urgjent në organizata të tilla si NATO merr kohë. Prandaj, diplomacia jonë duhet të jetë aktive në disa drejtime dhe ka disa gjëra që mund t’i bëjë urgjentisht. Së pari është që të ripërsëritet kërkesa për pesë vendet që nuk e njohin Republikën e Kosovës ende, katër prej të cilave janë anëtare të NATO-s, me kërkesën që ta bëjnë këtë menjëherë, d.m.th që ta njohin pavarësinë dhe shtetin e Kosovës, në mënyrë që të mos ketë asnjë pengesë  me rastin e aplikimit për pranim urgjent në kuadër të NATO-s. E dyta; diplomacia jonë mund të kërkojë shtim të forcave të NATO-s në Kosovë, përforcim të KFOR-it në këtë moment. Së treti, Kosova të kërkojë ekspertizë dhe ndihmë për pajisje për Forcat e Sigurisë së Kosovës – më këtë gjë do të afrohej edhe më shumë me strukturat e NATO-s, ndërkohë që do të punohej me partnerët tanë strategjikë që Kosova të pranohet sa më shpejt në NATO.  Dhe nën katër, Kosova duhet që sa më parë të aplikojë në Këshillin e Evropës, që nuk do të hasë në asnjë pengesë në situatën në të cilën gjendemi. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është shumë i rëndësishëm  për Kosovën, ka qenë edhe në të kaluarën por deri më tani kjo mundësi disi është neglizhuar, nuk e dimë për çfarë arsye, por tani është koha që të bëhemi anëtar i Këshillit të Evropës.

Radio Kosova : Së fundmi, kemi dëgjuar edhe zyrtarë evropianë duke thënë  se “Kosova e meriton të jetë në Këshill të Evropës” , apo deklarata si “është e çuditshme se si Kosova nuk është në Këshill të Evropës”. Pra, ju po thoni se është moment i artë për ta arritur këtë synim?

Avni Spahiu: Absolutisht, tani është koha që të aplikohet dhe të jemi sa më afër me strukturat euro-atlantike por edhe me institucionet evropiane. Është interesant që qysh sot një numër i anëtarëve të Parlamentit Evropian u është drejtuar pesë vendeve jo njohëse, që ta njohin Kosovën sa më parë. Ky është edhe një inkurajim  që diplomacia jonë ta bëjë këtë edhe përmes ambasadave tona, por edhe duke zhvilluar  takime të drejtpërdrejta me liderët e këtyre  vendeve, për të kërkuar njohjen.

Radio Kosova: Ndër masat urgjente që duhet të ndërmarrë diplomacia jonë, ju përmendet edhe kërkesën për rritjen e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë . Pse?

Avni Spahiu: Sepse vetë NATO ka theksuar se edhe Ballkani është në njëfarë mënyre i rrezikuar. Ata kanë shtuar trupat në Bosnje dhe do të duhej që kjo të ndodhte edhe në Kosovë. Është më shumë një gjest që tregon se nuk do të lejojnë asnjë aventurë që të na ndodhë, e sidomos në veri të vendit.

Radio Kosova: A mund të ndikojë situata aktuale në Ukrainë që pesëshja evropiane jo-njohëse e Kosovës të ndryshojë qëndrim ?

Avni Spahiu: Nëse ne jemi solidarizuar dhe rreshtuar plotësisht me aleancën perëndimore, nuk ka arsye legjitime që Kosova të mos jetë tani e njohur përgjithësisht nga vendet e BE-së dhe që të mos pranohet Kosova si pjesë e aleancave evropiane. Prandaj është një moment i mirë që ne të bëjmë përpjekjet tona për të realizuar disa prej aspiratave tona, që janë integrim në BE, në strukturat e BE-së por edhe në strukturat ushtarake të NATO-s. Për sa i përket Forcave të Sigurisë, ato kanë bërë një përparim të jashtëzakonshëm edhe me ndihmën e aleatëve tanë por edhe të NATO-s dhe tani është koha që kjo ndihmë, kjo mbështetje tani  të zgjerohet. Sepse si Forcë e re, ajo ka nevojë për të shtuar kapacitetet e veta dhe kjo do të bëhej më lehtë përmes mbështetjes konkrete të  NATO-s dhe partnerëve tanë.”

Radio Kosova: Në këtë situatë të krijuar në Ukrainë, si e shihni ecurinë e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë?

Avni Spahiu: Tani është e vështirë të parashikohet vazhdimi i bisedimeve Kosovë-Serbi. Bota është fokusuar në atë që po ndodh në Ukrainë, sidomos Evropa. Tani nuk mund të themi se kjo atmosferë a do të mundësojë që të ketë vazhdim të bisedimeve apo duhet të pritet dhe  të kemi njëfarë lloj pauze. Sidoqoftë, është mirë që pala kosovare vazhdimisht e ka theksuar se është e gatshme të bisedojë për një marrëveshje e cila do të përmbyllej me njohje reciproke ndërmjet dy vendeve.

Intervistoi: Bardha Shkreli


MË SHUME NGA Lajme