Spiropali: Qeveria do të vazhdojë angazhimin në mbështetje të Ukrainës
BKT
Shqipëri

Spiropali: Qeveria do të vazhdojë angazhimin në mbështetje të Ukrainës

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali zhvilloi një takim me ambasadorin e Ukrainës në Tiranës, Volodymyr Shkurov, të cilit i shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të Ukrainës.

“Takim miqësor dhe emocionues me ambasadorin e Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, që bashkë me stafin po bëjnë gjithçka për t’iu gjendur pranë vendit dhe popullit të tyre. Miratimi i rezolutës së propozuar nga Shqipëria e SHBA si bashkëpenëmbajtëse në Këshillin e Sigurimit për çështjen e Ukrainës nga 11 vende anëtare, ishte mesazh i fortë për Rusinë, e cila izolohet gjithnjë e më shumë”, tha Spiropali.

Ministrja Spiropali u shpreh se “Shqipëria i është bashkuar sanksioneve ekonomike të BE-së që përfshijnë masa kufizuese në financa, energji, transport dhe teknologji”.

“Qeveria do të vazhdojë angazhimin, në bashkërendim të ngushtë me të gjitha vendet aleate dhe partnere në NATO, BE, dhe me partnerë të tjerë, në mbështetje të Ukrainës. Projekt-rezoluta e Kuvendit “për mbështetjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane” që pritet të kalojë në seancë dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar”, theksoi Spiropali.

Ministrja Spiropali i bëri apel qytetarëve t’i përgjigjen thirrjes së ambasadës së Ukrainës në Tiranë dhe të kontribuojnë me sa kanë mundësi. /atsh


MË SHUME NGA Shqipëri