Krasniqi: Kurti dhe Osmani të deklarohen lidhur me Projektkodin Civil
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një intervistë në “RTK Prime” ka deklaruar se PDK do të marrë pjesë në seancën kur do të votohet Projektkodi Civil, por ai tha se para së gjithash i takon kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani të thonë së pari mendimin e tyre rreth kësaj çështjeje.
“Debati është i mirëseardhur, është i domosdoshëm. Ne vendimin do ta japim në ditën kur do të votohet dhe ne ishim të gatshëm ta japim edhe në seancën kur u caktua të votohet ky projektkod, por shumica parlamentare, e prirë nga Vetëvendosja, kërkoi që të hiqet nga rendi”, tha ai.
Krasniqi konsideron se është e padrejtë që të kërkohet përgjigje për qëndrimin e PDK-së lidhur me çështjen e Projektkodit Civil, debati për të cilin është reduktuar në lejimin e martesave mes gjinive të njëjta, pa kërkuar së pari nga kryeministri të deklarohet në lidhje me këtë çështje.
“Ne do të presim parasegjithash ta marrim njëherë mendimin e kryeministrit Kurti. Nuk e kemi dëgjuar as presidenten Osmani që është deklaruar për këtë çështje. Nuk e kemi dëgjuar as kryetarin e Kuvendit, Glaku Konjufca. Pra, krerët e shtetit, këta që mburren se kanë marrë 50% të votave nuk po flasin dhe ju takon atyre sepse ne se kemi sjellë Projektkodin në Kuvend por e ka sjellë kryeministri Kurti. Dhe, ne deri më sot nuk e kemi dëgjuar një fjalë prej tij a e mbështetë këtë kod apo e ka sjellë sa për 'sy e faqe'”, ka theksuar Krasniqi.
Ai ka thënë se PDK e ka qëndrimin e saj sa i përket kësaj çështjeje. “Ne besojmë se Kosovës i nevojitet një dokument kaq i rëndësishëm siç është kodi civil. Duhet të jetë padyshim një kod që i adreson të gjitha nevojat e një shteti modern, por që e rregullon raportin e qytetarit me qytetarin tjetër por edhe me shtetin në këtë kuptim. Kodi civil llogaritet si një nga dokumentet më të rëndësishme pas Kushtetutës së një vendi dhe ne duhet vërtetë që ta fusim në procedurë parlamentare e pastaj duke tentuar që të gjejmë konsensusin nacional, qytetarë e politik të marrim edhe veprimet e mëtutjeshme për ta miratuar atë. Por është e padrejtë kjo ikje nga përgjegjësia e kryeministrit Kurti”, ka nënvizuar Krasniqi.
Ai ka thënë se fakti që partia në pushtet ka ikur nga përgjegjësia e kodit, duke kërkuar që të mos futej në rend dite apo të shtyhej për një ditë tjetër, nuk është në rregull. Por, sipas tij u takon atyre që të flasin dhe jo PDK-së.
“Në momentin kur ne do ta kemi prap në rend dite, siç kemi qenë të përgaditur atë ditë, do të jemi bashkë aty, do të shkojmë të diskutojmë, të japim qëndrimet tona të cilat do të marrin parasysh të drejtat e njeriut para së gjithash dhe të cilat do të respektojnë një ambient ku qytetarët e Kosovës duhet të jenë të sigurt”, është shprehur Krasniqi.























