Projektligji për Institutin e krimeve të luftës nga e premtja në diskutim
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se e kanë të gatshëm draftin e parë të Projektligjit për Institutin për krimet e luftës dhe i njëjti nga e premtja do të jetë në diskutim publik.
“Ne të premten e përfundojmë draftin e parë të projektligjit dhe pastaj i njëjti i shpërndahet grupit të gjerë punues dhe gjithashtu vendoset pastaj në konsultime publike për t’i marr komentet edhe të qytetarëve por edhe institucioneve të ndryshme në raport me këtë projektligj”, deklaroi Haxhiu.
Ajo në një intervistë për agjencinë e lajmeve ‘Ekonomia Online’, ka thënë se janë duke planifikuar që deri në muajin qershor, projektligji të dërgohet në institucionet kompetente.
“Planifikimet tona janë që ta dërgojnë në Qeveri apo në Kuvendin e Republikës së Kosovës në 6 mujorin e parë. Pra kemi edhe 3 muaj në dispozicion deri në muajin qershor nëse mund ta përgatisim më herët ne do ta dërgojmë”.
Sipas Haxhiut, kjo është periudha e fundit që të dëshmohet se çka ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
“Konsiderojmë që është një dokument shumë i rëndësishëm për faktin se pas miratimit të këtij ligji ne do ta kemi një institucion të posaçëm, të veçantë në të cilin do të dokumentohen të gjitha krimet që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë”.
Ajo shton se, “Kosova nuk e ka pasur asnjëherë një institucion të tillë. Ne kur flasim për krimet e luftës në vazhdimësi i referohemi si me thënë raporteve vendore dhe ndërkombëtare, por asnjëherë nuk kemi një dokumentim institucional”.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.
Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.
Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.
Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.























