Mehaj reagon ndaj deklarimeve të Vulinit
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj e vlerëson kërcënuese dhe tentim shantazhi deklaratën e ministrit të brendshëm serb, Aleksandër Vulin.
Ky i fundit gjatë ditës së sotme ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të përbënte kërcënim për Serbinë me një konflikt të armatosur.
Sipas Mehajt deklaratat e sotme të Vulinit janë alarm serioz për vendet anëtare të NATO-s dhe të gjitha vendet e botës demokratike që sot janë rreshtuar në anën e duhur të historisë.
Në një postim në Facebook, ministri Mehaj ka kërkuar nga autoritetet vendimmarrëse të NATO dhe BE-së të dënojnë qëndrimin destruktiv të Vulinit, që nënkuptohet edhe si qëndrim zyrtar i qeverisë serbe
“Kërkesa jonë legjitime dhe shumë e arsyeshme për anëtarësim me proces të përshpejtuar në NATO, e bënë edhe njëherë plotësisht të qartë, qëndrimin e vërtetë dhe pretendimet e Serbisë mbi Kosovën. Gjithçka është e qartë. Analogji absolute në mes pretendimeve absurde të Putinit për gjoja arsyen e agresionit mbi Ukrainën me pretendimet absurde të Vulinit për agresionin e mundshëm të Serbisë mbi Kosovën. Kjo është edhe një konfirmim i fuqishëm i arsyes, se pse duhet sa më shpejtë Kosova të anëtarësohet në NATO, sepse zgjatimi i Rusisë dhe Putinit mezi pret të realizojë skenarin e ngjashëm mbi vendin tonë. Qytetarët dhe miqtë e Kosovës pa dallim të të gjitha komuniteteve, të mos bien pre e kësaj gjuhe provokuese, kërcënuese dhe shantazhuese, sepse Republika e Kosovës është e sigurt, ka të qartë dhe të vendosur orientimin e saj euroatlantik, si dhe ka trasuar shumë fortë rrugën drejtë dyerve të hapura të NATO-s dhe BE-së”, ka shkruar Mehaj.























