Zgjedhjet në Shqipëri,materialet zgjedhore shpërndahen në qendrat e votimit
BKT
Shqipëri

Zgjedhjet në Shqipëri,materialet zgjedhore shpërndahen në qendrat e votimit

Ka përfunduar shpërndarja e materialeve zgjedhore në 942 qendrat e votimit të bashkive Shkodër, Dibër, Durrës, Lushnjë, Rrogozhinë, ndërsa në bashkinë Vorë janë shpërndarë pajisjet e votimit dhe numërimit elektronik, njofton KQZ.

Ulja e temperaturave, e shoqëruar me reshje të dendura bore rrezikoi shpërndarjen e materialeve në zonat e thella të Dibrës dhe Shkodrës.

Ndërkohë që në Lushnjë, u raportuan vonesa për shkak të tensioneve mes komisionarëve demokratë, disa prej të cilëve erdhën me vonesë për të marrë kutitë e votimit dhe materialet e tjera zgjedhore.

Nesër, votuesit zgjedhin kryebashkiakët e rinj në Shkodër, Dibër, Vorë, Durrës, Rrogozhinë dhe Lushnjë, bashkitë që mbetën pa kryetar.

Në Durrës, pas një serie dorëheqjesh të kryebashkiakëve të zgjedhur dhe emëruar.

Në Rrogozhinë për shkak se ish-kryebashkiaku ndërroi jetë. Në Lushnjë, ishin arrestimet e SPAK që sollën nevojën e zgjedhjeve dhe në Dibër pas dorëheqjes së kryebashkiakut që kandidoi për deputet.

Kandidatët fitues do të mbajnë detyrën vetëm rreth një vit pasi në qershor 2023 do të mbahen zgjedhjet e rregullta lokale.

Në zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal, 30 qershor 2019, opozita nuk mori pjesë. Për rrjedhojë PS fitoi të 61 bashkitë.

Presidenti Meta e argumentoi vonesën e tij të gjatë të shpalljes së zgjedhjeve të pjesshme me pritjen e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, të cilat u mbajtën në situatë konfliktuale politike, pasi opozita vendosi t’i bojkotojë ato, ndërsa vetë presidenti i kishte anuluar me dekret.


MË SHUME NGA Shqipëri