I domosdoshëm riorganizimi i shkollave, sidomos në zona rurale
BKT
Lajme

I domosdoshëm riorganizimi i shkollave, sidomos në zona rurale

Ardiana Hajzeri

Riorganizimi i shkollave, sidomos atyre në viset rurale, ku numri i nxënësve nëpër klasa është shumë më i vogël, po konsiderohet i domosdoshëm.

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se aktualisht mësimi me klasë të kombinuara  në gjithë vendin është duke u zhvilluar në rreth 113 shkolla, kryesisht në zonat rurale. E, njohës të çështjeve të arsimit vlerësojnë se procesi i riorganizimit të shkollave duhet të ndodhë, por vetëm pasi të përfshihet edhe komuniteti në debat.

Reformat në arsim si riorganizimi i shkollave po shihen si të nevojshme gjatë viteve në vijim, pasi që shumë shkolla në viset rurale po përballen me numër të vogël të nxënëseve. Në lidhje me ketë, Ministria e Arsimit në një përgjigjeje me shkrim për Radio Kosovën ka bërë të ditur se aktualisht mësimi në klasë të kombinuara në të gjitha komunat e Kosovës  është duke u zhvilluar afërsisht në 113 shkolla. Në Planin Strategjik të Arsimit 2022-2026,  që është duke u përgatitur, shumë çështje që ndërlidhen me sistemin e arsimit, do të gjejnë zgjidhje, ku përfshihet edhe riorganizimi i shkollave, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

“ Bazuar në informatat që kemi marrë nga komunat, mësimi me klasë të kombinuara në të gjitha komunat e Kosovës zhvillohet  afërsisht  në 113 shkolla në viset rurale. Çështje problematike kohëve të fundit në mbarë vendin rezulton të jetë shpërngulja e popullatës nga viset rurale në zonat urbane dhe rënia e natalitetit të popullsisë. Ky është një faktor që ka prekur edhe sferën e arsimit në rrethana të ndryshme, sidomos në viset rurale, kur nga numri i vogël i nxënësve që vit pas viti po  zvogëlohet, kushtëzohet që nga një klasë të formohen dy ose më tepër klasë të kombinuara. Klasa këto që ndikojnë në zhvillimin e procesit mësimor dhe prekin shumë sfera të jetës shoqërore dhe të aspektit edukativo-arsimor po ashtu. Së këndejmi  MASHTI, në Planin Strategjik të Arsimit 2022-2026,  është në hartim e sipër edhe të shumë çështjeve që lidhen me sistemin e arsimit të cilat do të gjejnë zgjidhje.”

E, njohës të çështjeve të arsimit po vlerësojnë se riorganizimi i shkollave duhet të bëhet pas një  debati ku do të ketë një përfshirje aktive të komunitetit. Kështu mendon Rinor Qehaja nga Instituti “Edguard”:

”Riorganizimi i shkollave kërkon debat të ndërtuar mbi evidencë dhe mbi të gjitha me përfshirje aktive të komunitetit. Një analizë e fizibilitetit duhet të jetë pikënisje e reformës së ristrukturimit. Nuk mund të  ketë ristrukturim të bazuar në hamendësim.”

E sa i përket procesit të reformave në shkolla në vitin shkollor 2019/20  Komuna e Kamenicës, ka filluar me këtë proces në 19 shkolla  fillore. Por procesi i riorganizimit të këtyre shkollave është kundërshtuar nga nxënës, prindër e mësimdhënës, të cilët patën organizuar edhe protesta e greva ku si pasojë janë humbur shumë ditë mësimi. Vitin e kaluar,  Ministria e Arsimit, mori vendim që nga data 5 maj të fillojë mësimi alternativ i përshpejtuar për 441 nxënësit e pesë fshatrave të Kamenicës.

Ndërkaq, zonat urbane, sidomos kryeqyteti, po përballen me numër të madh të nxënësve nëpër klasë. Kjo situatë në shumë raste paraqet problem për organizimin dhe efikasitetin në mësim. 


MË SHUME NGA Lajme