Basha: Mbështetje të plotë dhe pa kushte popullit të Ukrainës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot në Kuvend se Shqipëria i jep mbështetje të plotë dhe pa kushte popullit të Ukrainës
“Jemi mbledhur sot këtu në një ngjarje të rrallë, ndoshta unike për Kuvendin e Shqipërisë, për t’i dhënë mbështetjen e plotë dhe pa kusht popullit të Ukrainës që gjendet përballë agresionit më të pashembullt që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”, tha Basha.
“Relatori që i përket Partisë Demokratike e shpjegoi fare qartë kontekstin se si nisi kjo iniciativë, se si pavarësisht prej konfliktit dhe polarizimit ekstrem politik në të cilin ndodhet aktualisht vendi ynë, mbështetja për të nuk ka munguar”, u shpreh Basha.
“Është urimi im, i Partisë Demokratike, i opozitës shqiptare, jam i bindur i gjithë bashkatdhetarëve tanë pa dallime politike, që populli i Ukrainës të vazhdojë të përballet me guxim heroik me agresorët rusë dhe që ta shohë këtë akt mbështetjeje nga parlamenti shqiptar si një shprehje të vullnetit të të gjithë kombit shqiptar, sepse ashtu siç kam thënë vetëm orë pas agresionit të 24 shkurtit, ne shqiptarët jemi kombi i fundit para kombit tuaj që i kemi ndjerë në palcë dhimbjet dhe vuajtjet, shkatërrimin dhe vdekjet, masakrat, gjenocidin që janë bërë nga makineria e luftës së Sllobodan Millosheviçit mbi bashkëkombësit tanë në Kosovë”, theksoi Basha.
“Po ne e dimë po kështu që qëndresa, rezistenca, flijimi i më të mirëve në mesin e një kombi që lufton për liri me ndihmën e Zotit dhe kombeve të lira e demokratike, gjithmonë shpërblen. Këto janë ditë të errëta për Ukrainën dhe banorët e saj, janë ditë të errëta për Evropën dhe mbarë botën demokratike e çdo komb që kërkon e lufton që të jetojë në paqe”, u shpreh ai.
Ndaj, shtoi kreu i PD, “ajo që po ndodh sot në territorin e Ukrainës dhe kundër qytetarëve të pafajshëm të Ukrainës është në fakt një luftë që na përfshin të gjithëve, viktimat nuk janë thjesht qytetarë të Ukrainës, ata janë familjarë, prindër, fëmijë, të moshuar që na takojnë të gjithëve dhe për të cilët të gjithë jemi bashkë përgjegjës ndaj përmes kësaj rezolutë u japim jo vetëm mbështetjen e plotë morale por u japim edhe përfaqësisë tonë në Këshillin e Sigurimit shtysën më të pakufizuar për të bërë gjithçka krah për krah me aleatët tanë perëndimorë, në mënyrë që të merret çdo masë dhe të mos kursehet asnjë përpjekje për t’i dhënë fund kësaj çmendurie”.
“Thënë kjo askush nuk duhet të ketë dyshimin më të vogël mes nesh në këtë sallë se çmenduria e Vladimir Putinit është një akt i beftë, i papritur dhe i paplanifikuar. Që ta kuptojmë më mirë gjithë këtë mjafton t’i referohemi retorikës së tij, propagandës së tij, e cila agresionin dhe masakrat mbi civilët ukrainas i justifikon me gjuhën identike të misioneve humanitare që shpëtuan shqiptarët e Kosovës nga spastrimi etnik i hordhive gjakatare të Sllobodan Millosheviçit”, tha Basha.
“Ironia është e qartë, krahasimi midis një operacioni unik humanitar, siç ishte ndërhyrja në Kosovë për të shpëtuar fëmijët, gratë, familjet e pambrojtura nga makineria gjakatare e Millosheviçit, nga masakrat që u shpalosen para syve të gjithë botës si një justifikim për të rikthyer Bashkimin Sovjetik tashmë të riemërtuar dhe të riarmatosur me të njëjtën fuqi për të projektuar një balancë pushtetesh duke sulmuar një vend sovran, i cili përpiqet si anëtar i Këshillit të Evropës dhe si aspirant për anëtarësimin në organizata të tjera të sigurisë dhe Bashkimit Evropian të respektojë të drejtat e çdo qytetari të Ukrainës, të heqë paralele të paqena. Akti i ndërhyrjes dhe luftës së NATO-s krah për krah ishte një akt humanitar i cili hapi rrugë përfundimit të një procesi, shpërbërjes së Federatës Jugosllave, ndërsa Ukraina është një vend me integritet territorial të pacenueshëm nga Krimea, tek rajonet më lindore të saj. Për Shqipërinë ka një dhe vetëm një Ukrainë dhe kjo rezolutë i drejtohet popullit të Ukrainës kudo ndodhet. Thënë kjo, ky është një moment të nderuar parlamentarë, që me të njëjtën përgjegjësi të miratojmë sa më parë projektrezolutën tjetër që Partia Demokratike i ka propozuar këtij Kuvendi”, tha Basha.
“Është detyra jonë t’i kërkojmë autoriteteve shqiptare të mobilizojnë gjithçka në këtë situatë për t’i shërbyer paqes dhe sigurisë në rajon duke miratuar draftrezolutën e parashtruar në Komisionin e Jashtëm, që ashtu siç raportohet në parim, do të kalojë në ditët e ardhshme ku duke marrë shkas nga agresioni rus kundër Ukrainës. Duke theksuar nevojën për të forcuar sigurinë në rajon dhe sidomos në Kosovë, duke vlerësuar faktin që jemi anëtarë të përkohshëm të Këshillit të Sigurimit, t’i kërkojmë qeverisë të përdorë të gjitha mjetet dhe mundësitë në dispozicion që Kosova të anëtarësohet sa më parë në organizatat partnere të Kombeve të Bashkuara dhe anëtare e Kombeve Bashkuara, duke pasur parasysh rolin e veçantë si një nga dy vendet evropiane në Këshillin e Sigurimit, duke marrë parasysh vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, si një nga organet më të rëndësishme të Organizatës të Kombeve të Bashkuara, të ndërmarrin një diplomaci më aktive për të bindur katër vendet anëtare të NATO-s që akoma nuk e kanë hedhur këtë hap, se njohja e Kosovës është aktualisht një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon me ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në sigurinë e Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe në sigurinë e anëtarëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian; t’i influencojë përmes anëtarësisë tonë në NATO që të forcohet bashkëpunimi ushtarak dhe politik mes Kosovës dhe NATO-s, duke ndërmarrë çdo hap të nevojshëm që Kosova të bëhet vend anëtar në partneritetin për paqe dhe të hapet rruga për anëtarësimin e saj të plotë në NATO”, nënvizoi Basha.
“Edhe një herë shpreh mbështetjen e plotë dhe solidaritetin e plotë në emër të Partisë Demokratike për popullin ukrainas dhe autoritetet ukrainase, duke dënuar ashpërsisht agresionin rus dhe duke uruar që me bashkimin dhe vullnetin e kombeve të lira ky agresioni të zmbrapset dhe Ukraina dhe populli ukrainas të vazhdojë të gëzojë në paqe dhe prosperitet lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial”, përfundoi Basha. /atsh























