Rama: Komitet i Posaçëm Ndërministror për përballimin e pasojave të luftës
BKT
Shqipëri

Rama: Komitet i Posaçëm Ndërministror për përballimin e pasojave të luftës

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot, krijimin e një Komiteti të Posaçëm Ndërministror për përballimin e pasojave të luftës.

Në një konferencë për shtyp, ku u ndal te impakti i luftës mbi çmimin e energjisë dhe të naftës, Rama tha se “ne nuk jemi në kushtet e një kërcënimi ushtarak, por jemi si të gjitha vendet e tjera të NATO-s dhe më gjerë, në kushtet e kërcënimit të përditshëm ekonomik”.

“Para disa muajsh unë paralajmërova atë që po vinte, por natyrisht pa më shkuar ndërmend për asnjë sekondë se lëvizja e lexueshme gjeopolitike e Rusisë në ato momente për të ndikuar mbi çmimet në energji dhe hidrokarbure, ishte preludi i një versioni të armatosur”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “sot faktikisht përsëri çmimi i naftës ka kërcyer dhe vazhdon të kërcejë”.

“Më parë një fuçi nafte ishte 40 dollarë, sot jemi në 127 dollarë dhe jo më larg se dje një prej përfaqësuesve të lartë të qeverisë ruse ka kërcënuar me një çmim në 300 dollarë për fuçi, një gjë e pandodhur në historinë e tregtisë së naftë. Kjo është e pandodhur as në krizat më të mëdha”, tha Rama.

Rama tha se varësia nga gazi rus përbën 40% të gjithë furnizimit në Europë.

Duke u rikthyer te ndikimi i luftës në ekonomi, Rama tha se “në luftë nuk ka mundësi për të kërkuar të njëjtat gjëra që kërkonim para fillimit të luftës”.

“Duhet të përgatitemi për çdo skenar. Askush nuk e di sa do të zgjasë kjo luftë. Jemi në të njëjtat kushte të të panjohurës siç ishim me pandeminë, kur nuk e dinim kohëzgjatjen. E njëjta gjë është sot. Insistoj në faktin se të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm që ka ndryshuar bota ku jetojmë”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “qëllimi ynë është të garantojmë vazhdimësinë me sa më pak dhimbje”. /atsh


MË SHUME NGA Shqipëri