Gecaj-Gashi: Për herë të parë 50% e drejtorive në QKUK udhëhiqen nga gratë
BKT
Lajme

Gecaj-Gashi: Për herë të parë 50% e drejtorive në QKUK udhëhiqen nga gratë

Sot shënohet 8 Marsi - Dita Ndërkombëtare e Gruas. Kjo ngjarje zë fill më 8 mars 1857, kur rrobalarëset e Nju ­Jorkut u ngritën në protestë për të drejtat e tyre kundër shtypjes e shfrytëzimit të egër që u bëhej atyre dhe fëmijëve në punë.

Lidhur me Ditën e Grave, Agreta Gecaj-Gashi, drejtuese e Bordit të SHSKUK-së tha se kjo ditë këtë institucion më të madh shëndetësor në vend e gjen me rreth 50% të grave që janë në pozita udhëheqëse.

Gecaj-Gashi në një intervistë për RTK-në tha se sipas statistikave të OMK-së, në nivel të SHSKUK-së rreth 65% të të punësuarve janë gra.

"Për herë të parë në historinë e QKUK-së drejtoritë udhëheqen nga gratë nga 40 deri 50%. Kësaj here është bërë një sfidë e stereotipeve gjinore në këtë institucion. Sipas Odës së Mjekëve në shëndetësinë kosovare 44% e të licensuarve janë gra. Sa i përket punëtorëve në nivel të SHSKUK-së i kemi rreth 65% gra, që do të thotë barrën më të madhe të punës këtu e bartin gratë. Ndërsa, në pozita udhëheqëse gratë deri tani kanë qenë në nivel minimal, ndoshta kjo ka qenë edhe si pasojë e mosguximit apo pse edhe  gara nuk ka qenë fer në përzgjedhjen e tyre. Besoj se kësaj here e kemi luftuar këtë diversitet gjinor që ka qenë prezent theksuar tek ne. Pra kemi arritur në një pikë në të cilën nuk kemi qenë deri tash", tha ajo.

Tutje ajo ka thënë se gratë në këto pozita udhëheqëse nuk janë në baza gjinore por janë me meritokraci, sepse në garën me burra ato e kanë fituar atë pozitë.

Drejtuesja e Bordit të SHSKUK-së tha se për herë të parë në QKUK dy klinika udhëhiqen nga gratë.

"I përgëzoj gratë drejtoresha për guximin që kanë pasur sepse janë aty me meritë. Unë nuk përkrahu asnjë grua që nuk e meriton. Ato kanë qenë shumë meritore dhe në 'luftë' me burra ato e kanë fituar garën. Për më tepër, për herë të parë në histori të QKUK-së në dy klinika kirurgjike janë dy kirurge drejtoresha", tha ajo./P.Gashi/


MË SHUME NGA Lajme