Kim për rezolutën unanime të Kuvenditm përkrah një kordinim të fortë
Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka përshëndetur sot rezolutën e miratuar nga Parlamenti shqiptar për dënimin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Kim thekson se miratimi i rezolutës nga Parlamenti shqiptar, përkrah një koordinim të fortë ndërmjet Shqipëri-SHBA-së dhe BE-së.
“Ne përshëndesim rezolutën unanime të Parlamentit shqiptar që mbështet sovranitetin, integritetin territorial dhe demokracinë e Ukrainës; që dënon pushtimin rus të Ukrainës dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar dhe sigurisë evropiane dhe që përkrah një koordinim të fortë ndërmjet Shqipërisë, SHBA-së dhe BE-së”, shprehet ambasadorja Kim.
Kuvendi i Shqipërisë u mblodh më 7 mars në seancë plenare për diskutimet për projektrezolutën “Për mbështetjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane”.
Në këtë seancë ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov.
Kjo projektrezolutë verdhi në mbështetje të sovranitetit, tërësisë territoriale dhe zhvillimit demokratik të Ukrainës, në mbështetje të plotë të qëndrimit të vendeve të tjera në botë, që aspirojnë e mbrojnë vlerat demokratike, në përputhje të plotë me politikën e përbashkët të jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian përfshirë vendimet e Bashkimit Evropian për masa shtrënguese, si edhe nën përgjegjësinë të rolit të Shqipërisë si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023.
Pas diskutimeve parlamentare, projektrezoluta u miratua me unanimitet me 123 vota Pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. /atsh























