Kica-Xhelili: Të identifikohen kanalet që shpërndajnë propagandë ruse
Sot (e martë) po mbahet tryezë e organizuar nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.
Në këtë tryezë po diskutohet nga Komisioni me institucionet gjegjëse lidhur me piraterinë, portalet dhe IPTV-të të cilat shpërndajnë 'fake news' dhe propagandë, si dhe mundësitë e bllokimit të mediave pro agjendës ruse në internet.
Kryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Doarsa Kica-Xhelili, tha se nëse nuk mund ta ndalim piraterinë nuk mund t'i ndalim as lajmet e rreme që tani janë shumë prezente në vend.
Ajo tha se duhet të identifikohen kanalet e Serbisë që janë pjesë e "MTS DOO" që po shpërndajnë lajme të rreme lidhur me luftën në Ukrainë.
Deputetja Kica-Xhelili foli edhe për mundësinë që të kemi një adresë për ankesa për pirateri.
“Duhet të kemi një mekanizëm se ku të drejtohemi sa i përket piraterisë, pra ku të paraqesim ankesën për atë”, theksoi ajo.
Kica-Xhelili vlerësoi se është interesi publik me rëndësi për të ecur përpara, përfshirë edhe ligjin e KPM-së.
“Në qoftë se nuk jemi në gjendje ta ndalim piraterinë, nuk do të mund të jemi në gjendje t'i ndalim as lajmet propaganduese, as lajmet e rreme, e aq më pak ato që infiltrohen nga Federata Ruse. Ne e dimë që për shkak të marrëveshjeve të caktuara sot në Kosovë e kemi të licencuar MTS-në, e cila vepron kryesisht në Mitrovicë, dhe në qoftë se analizojmë kanalet që i ka kjo platformë, vërejmë që kanalet janë kryesisht ato të Serbisë. Dhe duke njohur politikën momentale, kuptojmë që shumica e kanaleve serbe për momentin shfaqin lajme propaganduese dhe ‘fake neës’ në Kosovë lidhur me situatën në Ukrainë. Prandaj, përveç bllokimeve të kanaleve që vijnë nga Federata Ruse, të identifikoni kanalet në kuadër të 'MTS' të cilat propagandojnë në këtë drejtim", theksoi ajo.
Kurse zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kjo brengë ka marrë edhe vëmendjen e kryeministrit të Kosovës. Sipas tij ligji për KPM-në është në agjendën e qeverisë për këtë vit. "Kjo temë ndonëse po zhvillohet së fundmi tek ne, tash e një kohë është temë kryesore në Bashkimin Evropian dhe në shoqëritë perëndimore të cilat po ballafaqohen me dezinformimin si ndërhyrje e jashtme, duke e konsideruar atë si kërcenim të demokracisë, por edhe të sigurisë së tyre të brendshme... Për një kohë të gjatë ne jemi ballafaquar me ato që i quajmë lajme të rrejshme, e që shumë shpesh e kanë ka pasur karakterin e zhvillimeve të brendshme politike, por duket se tashmë nuk është koha që t'i trajtojmë vetëm si të tilla. Kështu që ta kemi parasysh që dezinformimi po përdoret edhe si formë e ndërhyrjes së jashtme në vendin tonë", theksoi ai.
Ndërkaq kryetari i Bordit të Këshillit të Pavarur të Mediave (KPM), Xhevat Latifi, tha se gjatë vitit 2021 janë identifikuar 13 operatorë ilegalë IPTV dhe se këtë çështje nuk mund ta adresojë KPM-ja si e vetme.
Ndryshe në këtë tryezë ishin të ftuara edhe disa institucione të Kosovës, përfshirë edhe ato të drejtësisë e të cilat nuk morën pjesë.(RTKlive)























