Spanja mbështetje të fuqishme Shqipërisë për integrimin evropian
BKT
Shqipëri

Spanja mbështetje të fuqishme Shqipërisë për integrimin evropian

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla priti sot ambasadorin e ri të Spanjës, Álvaro Renedo Zalba.

Pasi i shprehu urimet për detyrën në Shqipëri, Nikolla vuri në dukje se “marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Spanjës janë të shkëlqyera miqësore, pa asnjë çështje të hapur midis të dy vendeve. Bashkëpunimi politik dypalësh është rritur ndjeshëm. Ndërkohë, Shqipëria është e interesuar për intensifikimin bashkëpunimit parlamentar si edhe bashkëpunimit ekonomik me Spanjën, në fusha me interes të ndërsjelltë, si turizmi, kultura, arsimi, punët e brendshme, drejtësia etj.”

Nikolla shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme të Spanjës për integrimin evropian të Shqipërisë dhe për mbajtjen sa më shpejt të Konferencës së parë Ndërqeveritare. Kjo mbështetje merr një rëndësi të madhe në kontekstin e mbështetjes së Spanjës për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.

Nga ana e tij, Ambasadori Álvaro Renedo Zalba falenderoi Kryetaren e Kuvendit për vlerësimin e bashkëpunimit dypalësh dhe nënvizoi se ky bashkëpunim si edhe mbështetja e Spanjës për integrimin evropian të Shqipërisë, mbështetur në progresin e dukshëm të saj drejt zbatimit të rekomandimeve të KE-së, do të rriten, si një mundësi për evropianizimin e rajonit dhe pasurimin e vlerave evropiane.

Kryetarja Nikolla përsëriti gjithashtu kërkesën e Shqipërisë që Spanja të rishikojë qëndrimin për njohjen e Kosovës, si një kontribut për evropianizimin, zhvillimin dhe stabilitetin në rajon./atsh


MË SHUME NGA Shqipëri