Rama: Nafta e përpunuar në Shqipëri ka kosto më të lartë se e importit
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, “Shqipëria prodhon një naftë të rëndë, e cila nëse përpunohet del shumë më e shtrenjtë se ajo e importit”.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë përmes rrjetit Facebook, Rama theksoi se, “ky është fakt dhe nuk luftohet. Ndaj dhe nafta e papërpunuar eksportohet”.
“Sot nafta nuk është më në duart e familjeve, siç ishte. Nafta është në duart e kompanive të mëdha që po bëjnë punë shumë serioze dhe nga kontratat që kemi me ta do të përfitohen zbulime të reja dhe vendi do të marrë përfitime”, tha Rama, teksa shtoi se, “nafta që futet në makinë detyrimisht do të vijë nga importi dhe do të reflektojë çmimin e bursave ndërkombëtare”.
Rama tha se qeveria ka ngritur Bordin e Administrimit të Hidrokarbureve, që do të kontrollojë dhe monitorojë situatën e çmimeve, për të shmangur çdo abuzim në kushtet e situatës së krizës./atsh























