Shqipëri, shkarkimi i gjyqtares Haveri, KPA lë në fuqi vendimin e KPK-së
Kolegji i Posaçëm i Apelimit në Shqipëri, ka lënë sot në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtaren e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dhurata Haveri.
Trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës aktet shkresore të paraqitura nga dëshmitari në seancën paraardhëse.
Kryesuesi i seancës bëri me dije se “bazuar në nenin 49, paragrafi i dhjetë, i ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vëzhguesja ndërkombëtare e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit kishte depozituar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit një gjetje, që ishte bërë pjesë e fashikullit të çështjes, i ishte përcjellë subjektit të rivlerësimit, Dhurata Haveri dhe për të cilën, përfaqësuesja e saj ligjore mbajti qëndrim gjatë seancës së sotme”.
Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe vijimin e procesit të rivlerësimit edhe për dy kriteret e tjera, atë të vlerësimit të figurës dhe të profesionalizimit; ose në mënyrë alternative, ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të gjyqtares Dhurata Haveri.
Në seancën e sotme, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtaren duke e larguar përfundimisht nga drejtësia.
KPK vendosi me 29.9.2019 shkarkimin nga detyra të Dhurata Haverit me funksion gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë./atsh























