Kushtetuesja publikon vendimin e plotë për Metën
BKT
Shqipëri

Kushtetuesja publikon vendimin e plotë për Metën

Gjykata Kushtetuese publikoi sot vendimin e plotë për çështjen në lidhje me shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Gjykata thekon se, në vlerësimin e saj se instituti kushtetues i shkarkimit (impeachment) ka për qëllim realizimin e parimit të shtetit të së drejtës, i cili kërkon sundimin e ligjit, në kuptimin që askush të mos jetë mbi ligjin dhe Kushtetuta të mbrohet në çdo rast. Për këtë shkak, gjykimi për shkarkimin e Presidentit është një procedurë kushtetuese që mbron rendin kushtetues, që në rast se përfundon me vërtetimin e fajësisë për shkelje të rëndë të Kushtetutës ose kryerjen e një krimi të rëndë, e zhvesh këtë funksionar të lartë publik nga detyrat dhe autoriteti. Në këtë këndvështrim, objekti i procedurës kushtetuese është mbrojtja e rendit kushtetues nga abuzimi i funksionarit kushtetues dhe jo përcaktimi i të drejtave kushtetuese të individit që ushtron detyrën e Presidentit. Vendimi për shkarkimin në këtë lloj procedure nuk shtrihet përtej largimit të Presidentit nga funksioni publik, edhe pse kjo nuk e përjashton atë nga përgjegjësia penale. Për rrjedhojë, procedura kushtetuese e shkarkimit ka natyrë të ndryshme nga procedurat penale ose procedurat disiplinore, pasi kur vërtetohet fajësia e tij për shkelje të rënda kushtetuese ose krim të rëndë bëhet fjalë për përgjegjësi kushtetuese të Presidentit, me pasojë shkarkimin nga detyra.

Nga ana tjetër, shton Gjykata, instituti kushtetues i impeachment udhëhiqet nga parimet themelore të shtetit të së drejtës, të cilat kërkojnë që organet kushtetuese të ngarkuara për kryerjen e procedurës së shkarkimit të jenë të paanshme dhe të pavarura, që ato të hetojnë si duhet rrethanat e çështjes dhe të miratojnë një vendim të drejtë për përgjegjësinë kushtetuese të Presidentit. Në këtë kuptim, e drejta e individit për të marrë pjesë dhe për t’u mbrojtur gjatë procedurës në të cilën vendoset përgjegjësia kushtetuese e tij nuk mund të vihet në diskutim, sikundër organet shtetërore, veprimtaria e të cilave bazohet në të drejtën dhe kufizohet prej saj, kanë detyrimin të arsyetojnë vendimmarrjen e tyre.

Gjykata, pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e komisionit hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur, mënyrën e thirrjes së seancës plenare dhe detyrimin për arsyetimin e akteve parlamentare, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese në këtë procedure.

Sa i përket shkaqeve të shkarkimit Gjykata thekson, në kontekstin e shkeljes së rëndë të Kushtetutës, aktet e Presidentit duhet të jenë reale, pra të jenë konkrete dhe jo hipotetike, në atë masë që të diktojnë shkarkimin e tij nga detyra, me qëllim rivendosjen e rendit kushtetues dhe rikthimin e besimit publik te Kushtetuta dhe institucioni i Presidentit.

Gjykata, bazuar në analizën e kritereve të shkeljes së rëndë, nuk identifikon ndonjë normë kushtetuese të cenuar, pasi në lidhje me këto fakte Kuvendi nuk ka arritur të provojë ardhjen e pasojave në drejtim të cenimit të rendit dhe sigurisë publike. Edhe në këtë rast Presidenti nuk ka ushtruar veprimtari vendimmarrëse, nuk ka marrë ose ushtruar kompetenca të institucioneve të tjera dhe nuk është provuar ndonjë qëllim i tij për ndërhyrje në rendin dhe sigurinë publike.

Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me rendin dhe sigurinë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Për sa më sipër, për sa kohë që Gjykata nuk arriti në përfundimin se Presidenti ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës në drejtim të ushtrimit të funksionit si Kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, e lidhur edhe me të drejtat në procesin zgjedhor, të shqyrtuara më sipër, dhe as shkelje në veprimtarinë e tij që lidhet me marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe marrëdhëniet me jashtë, pavarësinë e organeve të shtetit dhe rendin e sigurinë në vend, çmon se është i pabazuar pretendimi i Kuvendit për shkeljen e detyrimeve që burojnë nga neni 88, pika 3, i Kushtetutës si rezultat i shkaqeve të parashtruara prej tij.

Sa i përket shkeljes së nenit 94 të Kushtetutës Gjykata evidenton se shkeljet e nenit 94 të Kushtetutës nuk mund të bazohen ose të rrjedhin prej dispozitave kushtetuese që nuk kanë në objektin e tyre kompetenca konkrete të Presidentit, siç është neni 89 i Kushtetutës, që vendos ndalimin e tij të jetë anëtar partie. Për sa kohë Gjykata nuk konstatoi shkelje nga analiza e fakteve të paraqitura nga Kuvendi si ndërhyrje të Presidentit apo ushtrim të kompetencave të ndryshme nga ato të përcaktuara në Kushtetutë, pretendimi për shkeljen e nenit 94 të saj është i pabazuar.

Për të gjitha argumentet e mësipërme, Gjykata nuk arrin në përfundimin se Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën, ndaj ajo do të shfuqizojë vendimin e Kuvendit për shkarkimin e tij nga detyra, thuhet ndër të tjera në vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese./ATSH


MË SHUME NGA Shqipëri