Sandër Beci zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata e Lartë votoi sot me 7 vota pro Sandër Becin si anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata e Lartë njofton se “bazuar në nenin 125, pika 1 të Kushtetutës, nenin 7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “ Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar) dhe Rregullores “Për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”, Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, zhvilloi sot procesin e votimit për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”.
Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pasi u njoh me listën e kandidatëve të renditur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në përfundim të procesit të votimit, vendosi të shpall fitues me 7 (shtatë) vota pro, kandidatin Sandër Beci.
Rezultati i votimit do t’i njoftohet menjëherë, Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese/ ATSH























