Çuçi pret Borrell, diskutojnë për krizën me migrantë nga Ukraina
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Bledi Çuçi priti sot në një takim shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell, me të cilin ka biseduar mbi bashkëpunimin e ngushtë Shqipëri-BE duke përfshirë zbatimin e ligjit në fushat kyçe të politikave strategjike që lidhen me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Evropiane.
Ministri Çuçi tha se politika e sigurisë së Shqipërisë është 100% në përputhje me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, veçanërisht në lidhje me paketën e sanksioneve ndaj Rusisë.
Duke u ndalur te lufta në Ukrainë, ministri i Brendshëm tha se Shqipëria ishte ndër vendet e para të Ballkanit Perëndimor që deklaroi mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarë, si dhe dënoi agresionin e pajustifikuar rus.
Në lidhje me flukset e mundshme migratore të njerëzve që ikin nga Ukraina për shkak të luftës, ministri Çuçi shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të bashkërenduar përpjekjet me vendet anëtare të BE-së për të përballuar këtë krizë të re.
Ai solli në vëmendje faktin se Shqipëria ishte vendi i parë që aktivizoi mekanizmin e mbrojtjes së përkohshme në rastin e afganëve që lanë atdheun e tyre pasi talebanët morën pushtetin.
Gjatë takimit u vlerësua gjithashtu edhe angazhimi i KE për mbështetje me instrumente konkrete për rritjen e kapaciteteve të sigurisë, përfshirë edhe atë kibernetike./tch























