Agalliu: Masat e qeverisë nuk ndihmojnë konsumatorin shqiptar
Në një komunikim me mediet, Agalliu tha se prej javësh ka një rritje të theksuar të çmimeve, e cila është shoqëruar edhe me protesta të shoqërisë civile.
“PD që në shtator të vitit 2021 ka parashikuar situatën e rritjes së çmimeve, e cila iu bashkëngjit dhe situata e luftës në Ukrainë. Partia Demokratike ka bërë disa propozime konkrete në atë kohë, duke filluar nga reduktimi i TVSH-së për disa produkte të shportës, apo ulja e barrës fiskale për produktet të tjera. Këto propozime nuk u morën në konsideratë në atë kohë, nuk u menduan të përshtatshme nga qeveria dhe ne vijmë sot në një situatë ku përveç fatkeqësisë së luftës dhe reagimit real të tregjeve, ne përballemi sot edhe me abuzueshmërinë e sektorëve të caktuar të ekonomisë”, u shpreh ai.
Agalliu shtoi se “qeveria ka propozuar disa masa për të cilat ne nuk jemi dakord, sepse një pjesë e mirë e tyre, gati 80 % nuk mund t’i quajmë masa, pasi kanë qenë të programuara në buxhet”.
“Pjesa tjetër janë fasadë, që në thelb nuk prekin dhe nuk ndihmojnë familjet e konsumatorëve shqiptarë. Unë sot i kërkova grupit parlamentar të Partisë Socialiste të ndryshonim rendin e ditës dhe të vendosnim si pikë interpelancën me Kryeministrin. Nuk është pranuar me argumentin se duhej dorëzuar ditën e hënë brenda orës 16, mirëpo dita e hënë ka qenë ditë pushimi dhe zhvillimet ekonomike nuk kanë kalendar”, shtoi deputeti i PD-së.
Sipas tij, Kryeministri është i detyruar të vij, të paraqitet ose të delegojë një person nga kabineti, mund të jetë zëvendëskryeministri, ministrja e Financave, për t’i dhënë përgjigje deputetëve të Republikës së Shqipërisë, grupit parlamentar të Partisë Demokratike mbi zhvillimet dhe mbi masat që qeveria ka marrë.
“Edhe një herë e theksoj, janë jo vetëm të vonuara, por nuk janë masa reale të cilat do të ndihmojnë konsumatorin shqiptar. Fatkeqësisht kjo gjë është parashikuar prej kohësh nga Partia Demokratike, shto këtu dhe mbivendos asaj që ishte e paparashikueshme, që ishte lufta në Ukrainë”, përfundoi Agalliu./ATSH























