Kurti kujton policin ukrainas që u vra 14 vjet më parë nga serbët në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar ushtarin ukrainas, Ihor Kinal që u vra 14-vjet më parë nga serbët gjatë një aksioni në veri të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar policin ukrainas Ihor Kinal në 14 vjetorin e vdekjes së tij, i cili dha jetën në krye të detyrës derisa po shërbente në Kosovë në kuadër të UNMIK-ut.
Ai kishte marrë plagë të rënda gjatë një intervenimi të UNMIK-ut dhe KFOR-it më 17 mars 2008 kur ata hynë për të liruar Gjykatën e Qarkut dhe atë Komunale në veri të Mitrovicës, të cilat ishin uzurpuar nga rreth 300 protestues të armatosur serbë. Një ditë më pas ai vdiq nga plagët e marra.
“Protestuesit që vinin nga radhët e strukturave ilegale të Serbisë, atë ditë kishin me vete armë dhe mjete të tjera shpërthyese me të cilat sulmuan policët. Ndër 88 ushtarakë e zyrtarë policorë, të KFOR-it e të UNMIK-ut, të cilët u plagosën apo lënduan ishte edhe polici i UNMIK-ut nga Ukraina, Ihor Kinal. Më 18 mars 2008, një ditë pas sulmit, 26 vjeçari ukrainas vdiq si pasojë e plagëve të rënda të marra më 17 mars”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai, kujton Kurti, la pas nënën, babain dhe motrën, dhe varri i tij sot ndodhet në afërsi të qytetit Ternopil, në një fshat në perëndim të Ukrainës. Në shkollën e tij të mesme, i është ngritur një memorial përkujtimor në nderim të shërbimit të tij në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
"Grupe kriminale të strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë kryen sulmin me 17 mars 2008. Ky rast më vonë është trajtuar edhe nga EULEX-i i cili pat ngritur aktakuzë ndaj gjashtë të dyshuarve: Marjan Ilinçiq, Zoran Çaviq, Dragan Milojeviq, Aleksandar Aksentijeviq, Nebojsha Joviq dhe Avni Krasniqi", shkruan tutje Kryeministri.
"Teksa përkujtojmë dhe nderojmë policin e ri ukrainas Ihor Kinal, urojmë që familja e tij të jenë shëndosh e mirë dhe ritheksojmë admirimin dhe solidaritetin tonë me popullin e Ukrainës dhe luftën e tij çlirimtare kundër agresionit e invazionit rus", shkruan Kurti.
























