Meta: Çelja sa më parë e negociatave me BE
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me Drejtorin e Institutit Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES), Zijad Bećirović.
Meta u shpreh se në takim u zhvillua një bisedë e hapur lidhur me situatën e luftës në Ukrainë dhe ndikimin e saj në rajon dhe më gjerë në Evropë dhe në botë.
Gjatë bisedës, Meta theksoi se çelja sa më parë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe liberalizimi i vizave për Kosovën dhe anëtarësimi i saj në NATO dhe BE-në, do të sillte kontribute konkrete dhe tepër pozitive për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon, si dhe për prosperitetin e qytetarëve tanë.
Gjithashtu, Meta theksoi se respektimi i aspiratave të popullit të Bosnjës dhe Hercegovinës për anëtarësimin në NATO dhe në BE është legjitime dhe i shërben maksimalisht paqes, stabilitetit dhe sigurisë jo vetëm në rajonin tonë, por edhe më gjerë./atsh























