Gjiknuri: Dorëheqja e Bashës, akti i parë fisnik i një humbësi kronik
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, deklaroi sot se “dorëheqja e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD-së është akti i parë fisnik i një humbësi kronik”.
Në një prononcim për mediet nga Elbasani, Gjiknuri tha se ky është një veprim të cilin duhet ta kishte bërë me kohë.
“Megjithatë ne si PS, nuk e kemi vëmendjen tek ajo se çfarë po zhvillohet në PD. PD apo opozita shqiptare është futur në një cikël të vështirë, shkërmoqje me shumë flukse. Akti i dorëheqjes mund të duket fillimi i fundit të këtij procesi, por mund të jetë edhe fundi i fillimit të shkërmoqjes. Mendoj se mund të jetë më shumë kjo e dyta, por ne si mazhorancë vëmendjen e kemi tek qytetarët shqiptarë”, tha ai.
Gjiknuri tha se “ne shpresojmë që opozita një ditë të riformatohet për të mirën e saj dhe për të bashkëpunuar për të mirën e Shqipërisë”.
“Ata kanë probleme me veten e tyre, ndërsa ne jemi këtu që të komunikojmë me shqiptarët dhe për të përballuar të gjitha vështirësitë”, tha Gjiknuri.
Sipas tij, “riformatimi i PD-së do të kërkojë kohë dhe do ta kenë shumë të vështirë”.
“Koha do ta tregojë. Ne i presim në komisionet përkatëse që ata vetë i kërkuar, në çdo kohë kur të jenë të gatshëm të fillojnë punën. Shqipëria ka ligje në fuqi, ka një ligj zgjedhor tërësisht funksional, si dhe ka një ndarje territoriale e cila është plotësisht funksionale, kështu që nuk i bëhet ndonjë dëm vendit për shkak të vonesave që mund të ketë opozita për shkak të rikonfigurimit të flukseve të saj”, tha ai.
Gjiknuri tha se “opozita ka disa flukse politike, tashmë të shpërndara në shumë grupime”.
“Ne urojmë që ata ta gjejnë veten, por vendi nuk do të mbahet peng nga riformatimi apo shthurja e tyre, sipas rastit”, shtoi ai./atsh























