Balla takon Tsipras: SYRIZA mbështet integrimin europian të B. Perëndimor
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi një takim në Athinë, me kryetarin e SYRIZA-s, Alexis Tsipras.
Balla shprehu mirënjohjen për rolin e rëndësishëm të partisë SYRIZA në mbështetje të procesit të integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.
“Vlerësojmë rolin e Tsipras gjatë kohës si Kryeministër në masat e marra në drejtim të lehtësimit dhe integrimit të plotë të komunitetit tonë shqiptar në Greqi”, tha ai.
Balla siguroi se bashkëpunimi i ngushtë mes grupeve tona parlamentare do të vazhdojë të jetë në funksion të forcimit të marrëdhënieve të mira midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Po ashtu, Balla zhvilloi një takim në Parlamentin e Greqisë edhe me George Papandreou, President i Internacionales Socialiste.
“Bisedë miqësore me George Papandreou dhe grupin parlamentar të Partisë Lëvizja për Ndryshim, ku u theksua roli i rëndësishëm i bashkëpunimit mes partive dhe grupeve tona parlamentare në funksion të forcimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Roli mbështetës i Parlamentit dhe i grupit parlamentar të Partisë Lëvizja për Ndryshim në funksion të përparimit të çështjeve me interes të komunitetit shqiptar në Greqi si dhe të procesit të integrimit në Bashkimin Europian të Ballkanit Perëndimor, ishin disa nga çështjet që u diskutuan gjatë këtij takimi”, tha ai./atsh























